Kosova Macron thirrje Kosovës e Serbisë të ulin tensionet, VOA: Deklarata për vizat...

Macron thirrje Kosovës e Serbisë të ulin tensionet, VOA: Deklarata për vizat u keqkuptua

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi Kosovën për mbajtjen e premtimeve lidhur me shtensionimin e situatës me Serbinë, mes thirrjeve drejtuar palëve për përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

“Dua ta them një gjë shumë qartë. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr sepse Franca e mban premtimin e dhënë. Ndërsa fjala sot nuk po mbahet”, tha presidenti francez në Tiranë, duke i rikujtuar Kosovës që t’u përmbahet zotimeve qe ka marre para diplomatëve ndërkombëtarë.

Komentet e zotit Macron fillimisht u keqinterpretuan nga shtypi në Shqipëri dhe në Kosovë si mesazh se Franca po tërhiqej nga vendimi për liberalizimin e vizave.

Vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Deklarata e tij e lidhur me “fjalën e dhënë” dukej se vinte në pah pakënaqësinë me qasjen e autoriteteve të Kosovës kundrejt thirrjeve të diplomatëve perëndimore për uljen e tensioneve në veri.

Presidenti Macron tha se Franca po i ndjek po i ndjek me vëmendje tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim për një udhërrëfyes që besoj se është solid dhe i mirë”, tha presidenti Macron duke iu referuar marrëveshjes së arritur ne Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij viti në bazë të një propozimi franko-gjerman.

Tensionet mes palëve arritën një pikë të pashembullt që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pas një sulmi të një grupi të armatosur serbësh me 24 shtator në veri të Kosovës.

“Mendoj se është përgjegjësi e presidentit (serb Aleksandar) Vuçiç që të dënojë më vendosmërinë me të madhe aktin e 24 shtatorit. Kjo do kontribuonte në rivendosjen e qetësisë në kufi”, tha presidenti Macron duke shtruar pritjet nga të dyja palët.

“Hapat e ardhshëm dhe çfarë presim nga autoritetet e Kosovës dhe ato serbe janë të thjeshta: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto janë bërë në kushte të papërshtatshme; pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës. Kushtet duhet të plotësohen në këtë radhitje, në tërësi dhe plotësisht”, tha presidenti Macron duke theksuar se pret frymë përgjegjësie nga presidenti Vuçiç dhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës.

Përfaqësues të vendeve kryesore perëndimore, pritet të qëndrojnë të shtunën me 21 tetor në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mes shqetësimeve që pasuan sulmin e 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri të saj. Diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve.