Bota MAFIA/ Profilet e 5 familjeve më të mëdha të Cosa Nostra-s

MAFIA/ Profilet e 5 familjeve më të mëdha të Cosa Nostra-s

Për mafian, familja është institucioni më i shenjtë nga të gjithë. Në fakt, është gjëja më e rëndësishme në botë, më e rëndësishme se edhe vetë Zoti, më e rëndësishme se gratë e fëmijët, dhe sigurisht më e rëndësishme se çdo anëtar tjetër. Pavarësisht se janë themeluar shumë vite përpara 5 familjet e Nju Jorkut kanë refuzuar të zhduken plotësisht.

Komisioni

5 familjet kriminale të Nju Jorkut u mblodhën në vitin 1931, pas luftës së përgjakshme Castellammarese. Kjo pasi nevojitej një mënyrë e re për të ndarë punën e shumta të veprimtarisë kriminale pa vrarë njëri-tjetrin në këtë proces. Këto familje themeluan një sindikatë që e quajtën me emrin Komisioni, e cila qëndroi në zemrën e krimit të organizuar në Amerikë për 75 vitet e ardhshme. Ndikimi i saj ishte i padiskutueshëm. Çdonjëra nga 5 familjet e Nju Jorkut ndërtoi perandorinë e vet duke u marrë me aktivitete të jashtëligjshme si shantazh, pastrim parash, vrasje, lëndë narkotike, kumar, grabitje, menaxhimin e mbeturinave etj.

Këto janë 5 familjet më të mëdha mafioze operojnë në qytetin e Nju Jorkut.

Xhenoveze

Familja Xhenoveze është një nga forcat më të pushtetshme dhe dominuese në mafien e Nju Jorkut. Ajo ka nofkën “Rolls-Royce” i krimit të organizuar. Me interesa në brendësi të qytetit të Nju Jorkut, si dhe në Nju Xhersi, Las Vegas dhe pjesë të tjera të Masaçusets dhe Konektikat, zonat kryesore të operimit të familjes janë kumari dhe shantazhi ilegal. E emëruar sipas ish-bosit Vito Xhenovese, familja mendohet të mos ketë pasur një lider fiks që nga vdekja në vitin 2005 e Vincent Gigante.

Statusi i tanishëm: Në vitin 1962, anëtari i familjes Genovese, Joe Valachi u bë i pari kriminel i Nju Jorkut, që theu betimin e heshtjes të Cosa Nostra-s. Që atëherë, një numër i madh anëtarësh të rangut të lartë kanë bërë të njëjtën gjë, dhe kjo familje ka përjetuar rënie të vazhdueshme. Megjithatë, edhe pse lidershipi i kësaj familjeje mbetet ende i paqartë, ajo mbetet familja më e madhe kriminale e Nju Jorkut, me deri 250 anëtarë.

Gambino

Familja kriminale Gambino mendohet të operojë nga Nju Jorku në Kaliforni, dhe dikur është konsideruar familja më e fuqishme mafioze në Amerikë. Me përfshirjen e raportuar në aktivitete si zhvatje e prostitucion, familja moderne është emëruar pas emrit të Carlo Gambino, që besohet të ketë orkestruar vrasjen e Albert Anastasia për të marrë kontrollin e familjes në vitin 1957. Në vitin 1992, një pjesëtar i familjes Sammy Gravano pranoi të bashkëpunojë me agjentët federalë dhe ndihmojë në arrestimin e bosit të atëhershëm John Gotti.

Statusi i tanishëm: Ashtu si pjesa tjetër e 5 familjeve, edhe pushteti e ndikimi i familjes Gambino është në rënie. Kohët e fundit ata kanë pësuar goditje të mëdha, ku në operacionin “Ura e Vjetër” të kryer nga FBI-ja, u arrestuan 62 anëtarë të familjes për akuza vrasjeje dhe trafikim droge.

Lucchese

E emëruar pas bosit të vitit 1950 Tommy Lucchese, i cili iu bashkua familjes Gambino për të fituar një monopol mbi aktivitetet mafioze në Nju Jork, kjo familje ka qenë një nga bandat më të fuqishme të krimit në Amerikë. Por ajo u nda në dy pjesë pas arrestimit të bosit Anthony Corallo në vitin 1986, dhe pas tij në krye erdhën Vittorio Amuso dhe Anthony Casso. Casso urdhëroi një seri vrasjesh nga ata që ai i dyshonte si të pabesë. Kur Casso filloi të bashkëpunonte me FBI-në për të shpëtuar jetën e tij, bëri që respekti dhe statusi i familjes në botën mafioze të binte. Megjithatë mendohet se ende familja kontrollohet nga Amuso, që tani është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Statusi i tanishëm: Familja Lucchese ka mbetur një nga familjet më të qëndrueshme nga të 5-at. Ata po përpiqen të ngrenë statusin e tyre si një nga familjet më të pushtetshme nën drejtimin e Aniello Migliore.

Colombo

Më e reja nga 5 Familjet, familja kriminale Colombo u themelua në vitin 1928, por iu nënshtrua tre luftërave të brendshme gjatë shekullit 20. E emëruar pas emrit të Joseph Colombo, i cili iu bashkua familjes pas luftës së parë në vitin 1960, dy luftëra të tjera për pushtet rezultuan me vdekjen e disa anëtarëve. Fraksioni i familjes besnike për Carmine Persico, i cili ishte bosi kur shpërtheu lufta e fundit në vitin 1990, mendohet se tani drejtohet nga Ralph DeLeo, ndërkohë që Persico është në burg. Rivali dhe ish-togeri i tij, Viktor Orena, po vuan një dënim të përjetshëm.

Statusi i tanishëm: Me shumë nga anëtarët e saj kyç në burg, kjo familje po kalon kohë të vështira. Megjithatë disa besojnë se familja Colombo po kalon një fazë të qetë dhe produktive  rindërtimi.

Bonanno

Familja Bonanno, e emëruar sipas themeluesit të saj Joseph Bonanno, ishte familja e parë që u përjashtua nga i ashtuquajturi Komision, një mbledhje e bosave të familjeve që mbanin marrëdhëniet brenda për brenda mafies, mes akuzave për përfshirje në tregtinë e heroinës dhe shkaktimit të luftërave të brendshme brenda anëtarëve të familjes. Familja pësoi një humbje të madhe, kur agjenti i infiltruar i FBI-së me identitetin Donnie Brasco mori informacione nga familja për rreth 6 vjet. Pasi u përjashtua nga Komisioni, familja ishte e aftë të ndërtonte vetë pushtetin e saj, por reputacioni nuk ishte më i njëjti.

Statusi i tanishëm: Gjatë viteve të fundit, Bonanno-t janë shkatërruar jo vetëm nga infiltrimi i policisë por edhe nga dezertime të nivelit të lartë, që pasuan me arrestime të mëvonshme. Si familjet e tjera, Bonanno-t po luftojnë për të qëndruar aktivë në botën e krimit. Gjithashtu ata kanë luftuar për të mbajtur aprovimin e pjesës tjetër të Komisionit pas ngjarjeve të shumta që i ndodhën, ku më e famshmja është ajo e Donnie Brasco-s.