Ka folur sot për herë të parë si Ministri i ri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko.
Në fjalën e tij Majko nënvizoi rëndësinë e të drejtës së votës për emigrantët shqiptarë ndërsa kërkoi dhe bashkëpunimin e opozitës.
“I nderuar zoti kryetar,
Të nderuar kolegë
Marrëdhënia me emigracionin dhe diasporën shqiptare përfaqëson një prioritet të qeverisë së re. Në këtë cështje vlen të pohojmë se jemi mjaft vonë.
Kush nuk jeton në Shqipëri ndjen boshllëkun e komunikimit apo të kujdesit minimal shtetëror. Në të kundërt, duhet thënë se ekonomia shqiptare vështirë se do tja dilte pa të ardhurat e bollshme të cilat ajo ka akumuluar nga emigracioni dhe diaspora e saj. Pavarësisht përhapjes së lajmeve me “kriminalitet” për shqiptarët në emigracion, e vërteta e vërtetë është se ata kanë zhvilluar një përshtatje e cila bën diferencë nga të tjerët. Padyshim, kjo ka kaluar nëpër rrugë sakrificash personale për kalimin e të cilave kujdesi i shtetit shqiptar as nuk vlen të përmendet.
Me kalimin e kohës emigracioni shqiptar ka filluar të vetëorganizohet duke u lidhur me atë më të vjetrin. Ai po ashtu bashkëpunon natyrshëm e vëllazërisht me emigracionin shqiptar dhe diasporën e shtetit të Kosovës, të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Luginës.
Për cështjet e emigracionit dhe diasporës do të bashkëpunohet sidomos me shtetet fqinje. Do të ishte ironike që organizimi i shqiptarëve në diasporë të ndahej me kufijtë e shteteve ku ata jetojnë dhe nga vinë. Traktatet Ndërkombëtare e kanë ndarë kombin me kufij por ato nuk parashikojnë ndonjë kapitull për ndarjen e shqiptarëve në diasporë.
Në emigracion dhe jo vetëm aty, shqiptaria nuk është formë por përmbajtje. Do të jetë një detyrë e dorës së parë bashkëpunimi me Kosovën për këtë cështje dhe pastaj të dy shtetet së bashku të ndajmë eksperiencat më të mira dhe detyrat që na takojnë përballë bashkëkombasve tanë në emigracion. Në Maqedoni, Mal të zi dhe Luginë ka lidhje të mira me emigracionin dhe eksperiencat më pozitive vlen të shikohen me respekt dhe bazë për një bashkëpunim në këtë drejtim.
Ministri i Shtetit për Diasporën nuk do të ketë “administratë” në kuptimin e një ministrie linje. Emigracioni nuk ka nevojë për një administrim që të “urdhërohet” apo varet si prioritet ministror nga politika e ekzekutivit. Kjo është arsyeja që në Programin e Qeverisë cështja e “administratës” që do mbulojë emigracionin dhe diasporën do të organizohet në formën e një Agjencie Shtetërore e cila do të ketë mardhënie të dyfishtë me Ekzekutivin dhe Kuvendin. Që politika do ti fusë duart edhe kështu kjo do të ishte e mirëkuptueshme në se të dy palët si mazhoranca edhe opozita të ndjeheshin pjesë e së njëjtit informim, veprim dhe reformë që do të bëhet për pjesën më vitale të popullit tonë jashtë vendit.
Ngritja e një nënkomisioni parlamentar për diasporën do të krijojë një mekanizëm të dobishëm për informimin fillimisht dhe diskutimin në vazhdim të cështjeve të reformës për emigracionin në vazhdim. Mbi këtë mekanizëm është e nevojshme që të paktën një herë në vit në Kuvendin e Shqipërisë të informohet, diskutohet dhe të votohet një rezolutë për këtë cështje.
Padyshim, që ky proces do të jetë i hapur për shoqërinë civile dhe bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare të interesuara.
E drejta e votës është një kërkesë që vjen nga qëndrat më të organizura të emigracionit shqiptar në Greqi, Itali, Britani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Kanada e deri në Australi. Nga politika shqiptare janë bërë pohime të qëndrueshme për ta realizuar këtë kërkesë. Përgjegjësia qytetare e njerzve tanë në emigracion karshi të ardhmes së vendit është shprehur edhe duke ardhur nga larg për të marrë pjesë në votimet elektorale. Ata kanë treguar se janë shprehje e patriotizmit dhe përgjegjësisë për vendin e vet. Pa komplimenta, ata e kanë të merituar detyrimin e politikës për ti dhënë fund kësaj rraskapitjeje dhe distancimi shtetëror për të drejtën e votës së emigrantëve.
Duke qenë një njohës modest i politikës e di se pasi shqiptarët jashtë vendit të marrin të drejtën e votës sytë e politikanëve do të jenë edhe më të vëmendshëm. Interesi i pushtetit dhe interesat e emigrantëve do të lidhen natyrshëm për të prodhuar një politikë shtetërore të qëndrueshme karshi kësaj shtrese të shoqërisë që vetëm i ka dhënë shtetit dhe mirëqenies së tij.
E rëndësishme në këtë kuadër do të jetë ndërtimi i strukturave që do të mbështesin qëndrueshmërinë e një politike shtetërore e cila do të ndihmojë në rikthimin e emigrantëve në atdhe, për ata që dëshirojnë, apo duan të investojnë në vendin e tyre. Kjo përvec të tjerash do të sjellë edhe eksperiencat më të mira që kanë akumuluar emigrantët tanë. Në Programin e Qeverisë është parashikuar ngritja e një Fondi për këtë qëllim i cili me një politikë ndihmuese të bëjë që të sapokthyerit të mos ndjehen të huaj ne vendin e vet apo të bien pre e burokracive korruptive.
Bashkëpunimi i shtetit shqiptar me komunitetet shqiptare jashtë vendit do të kërkojë natyrshëm krijimin e një Këshilli Konsultativ të Komuniteteve Shqiptare Jashtë Vendit. Kjo do të kërkojë një diskutim bilateral edhe me shtetin e Kosovës. Këto mekanizma janë të hapura për tu diskutuar dhe kanë për qëllim të vendosin nën një fokus praktik dhe veprues angazhimet e shtetit në këtë drejtim. Qëllimi është si të ndihmohet lehtësimi i procesit të ndërtimit dhe ruajtjes së lidhjeve ndërmjet grupeve të diasporës, aktorëve të zhvillimit dhe komuniteteve lokale. Edhe për këtë arsye organizimi i Samitit të Diasporës do të bëhet një aktivitet periodik.
E drejta e votës për shqiptarët jashtë atdheut, rregjistrimi i tyre dhe reforma institucionale për këtë qëllim të cilat do të krijojnë themelin e një politike të re shtetërore për njerzit tanë që jetojnë jashtë vendit do të kërkojë ndihmën dhe votën e pazëvendësueshme të opozitës. Pa konsesusin e saj i gjithë ky projekt do të mbetet në kuadrin e fjalës.
Jo pa qëllim nënvizova që kjo është një reformë “për njerzit tanë”. Ata vec një ditë do të jenë votues të cilët do votojnë për të majtën apo të djathtën. Ditët e tjera ata janë e do të jenë, sic kanë qenë gjithmonë, njerëz që kanë mall dhe i gëzohen cdo suksesi të vendit të tyre.
Procesi i përfshirjes së emigrantëve në një politikë të strukturuar shtetërore do të përbëjë një akt civilizues dhe njerëzor. Ai do të ridimensionojë gradualisht të kuptuarit e funksionimit tonë si komb, në një botë që ndryshon me shpejtësi. Kjo reformë do të bëjë një vlerësim të aseteve tona njerëzore të cilat do na i kishte zili cdo komb. Ata kanë sukses nëpër botë dhe që për turpin tonë nuk i dimë ose dimë fare pak ndërkaq që presim ekspertë të huaj për të na dhënë këshilla… Në këtë kuptim, kjo reformë e propozuar në Programin e Qeverisë e tejkalon vlerësimin politik. Ajo është po ashtu nje takim me historinë e cila na ka mësuar se pa emigrantët e saj vështirë se Shqipëria dhe emri “shqiptar” do të ekzistonte.
Programi i Qeverisë që do të votohet sot padyshim nuk i ka të shkruajtura të gjitha.
Pas vendosjes së disiplinës financiare, ndarjes territoriale dhe reformës së menaxhimit të energjisë qeverisja e re ka një sfidë të fortë. Kjo është sfida me veten. E kam fjalën për mënyrën se si administrimi dhe administrata e saj do të “zbresin” tek qytetari.
Administrata ka qenë “varri i mermertë”për cdo qeverisje në vendin tonë. Në administratë punojnë njërzit që të “vdesin” cdo ditë e nga pak fjalën dhe programin e shkruar të qeverisjes. Dhënia e shërbimit për qytetarin do të jetë kryefjala e asaj që po vjen me qeverisjen e re.
Reforma administrative do të nxisë marrëdhënien e qeverisjes me publikun. E lehtë për tu thënë por sfidë për tu bërë, nga dhe me njerëz që presin ministrin dhe qeverinë e rradhës për të vazhduar sikur nuk ka ndryshuar gjë. Sigurisht që nuk i fus të gjithë punonjësit e administratës në një “thes”.
Suksesi i vërtetë i asaj që do të vijë më pas do të varet nga detajet. Ato do të ngrenë urën mdis asaj që është dhe asaj që do të jetë.
Besimplotë se jam pjesë e një ekipi me vullnetin e fortë për të ndryshuar, ju ftoj ta votoni Programin e Qeverisë. Shqipëria që duam nuk është vetëm e një pale por e të gjithëve”, u shpreh Majko.