Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, teksa e ka quajtur qesharake dhe komike kërkesën e PD për vetting-un politik ka bërë një apel të fortë për të reflektuar rreth lëvizjes së sotme studentore.
“Lëvizja studentore është një paralajmërim serioz për politikën që filloi me lëvizjen studentore, është rritur numri i njerëzve që nuk dinë ti shpjegojnë dallimet mes nesh. Dje u hodhën vezë në emër të studentëve, me shumë dinjitet kanë qenë studentët që janë distancuar nga çdo akt dhune, çdo gjë që ka një fillim e ka një fund, nëse kjo lëvizje po na kujton këtë kjo kërkon reflektim dhe jo bërjen e trimit në Kuvend. Vetting-u i politikës është vazhdim i kapitullit depersonalizues dhe fyes, politikani duhet të provojë se nuk është i lidhur me krimin, mbi bazën e kësaj logjike shpëton vetëm ai që sjell prova”, tha Majko.
Ai e ka quajtur këtë një “proces ironik që merret me shitjen e asgjësë”.
“Pas 5 vitesh në opozitë shqetësimi i të djathtës nuk duhet të ishte pastërtia e politikanëve, por të menaxhonte masën e të pakënaqurve dhe të diskutonte fitoren e zgjedhjeve. Vetting-u është qesharak, pafajësia e çdo individi jepet vetëm nga gjykata nga askush tjetër, imagjinoni se gjendet politikan fajtor, ca ndodh, ikën në burg, ca bëjnë komisionerët apo i dërgojnë për riedukim, ky nuk është pastrim por turpërim publik i saj”, tha Majko.
Sipas tij, ky proces rrezikon të kthehet në teatër të radhës. “Nëse dikush do të ndërrojë elitën, kjo është mënyra e gabuar, revolta e studentëve janë sinjali se si sillemi me njërin tjetrin rrezikon të shënojë fundin e një periudhe politike. Unë për asgjënë nuk votoj, ejani të merremi me studentët dhe kërkesat e tyre, nuk janë kundërshtarët tanë, janë shpëtimi ynë, mesazhin e tyre e majta e ka marrë dhe po reflekton kurse partia që u krijua nga studentët sot nuk flet gjuhën e tyre”, theksoi Majko.