“Cybertruck” është kryevepra dhe revolucioni i radhës i “sjellë në jetë” nga Tesla.
Gjigantët e prodhimit të makinave elektrike, prezantuan modelin e tyre të gjashtë, automjetit SUV që premton të jetë i pa shkatërrueshëm.
“Monstra” e re e Teslas do të jetë e gjatë 588 centimetra dhe 190 centimetra e gjerë, ndërsa do të ketë kapacitet deri në 6 vende. Çmimet do të variojnë nga 40 mijë deri në 70 mijë dollarë dhe makina do të dalë në treg vitin e ardhshëm.
Gjatë prezantimit nga Elon Musk mbi “Cybertruck” u bënë prova të ndryshme për të vërtetuar fortësinë e makinës. Megjithatë, testi i dritareve rezultoi jashtë pritshmërive, me automjetin që përfundoi me xhama të krisur.
“O Zot i madh”, tha Musk. “Ndoshta e goditëm pak më fort se ç’duhet. E kemi goditur me çelësa, me hekura e me lavamanë kuzhine, dhe xhami nuk u thye. Çuditërisht, tani u thye. Kjo tregon që ka vend për përmirësim”.
Por ngjarja trazoi jo vetëm Elon Musk-un mbi skenë, por edhe kompaninë e tij, Tesla, e cila humbi pikë në bursë.