Kryesore Meta kërkon mbështetjen e popullit: Të mbrojmë Republikën përmes referendumit

Meta kërkon mbështetjen e popullit: Të mbrojmë Republikën përmes referendumit

Në një konferencë të jashtëzakonshme, Presidenti Ilir Meta u bëri thirrje qytetarëve që të mbrojnë Kushtetutën dhe Republikën përmes referendumit.

Kreu i shtetit deklaroi se do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve, që këta të fundit të vendosin për të ardhmen e tyre dhe të votojnë me referendum për të ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

“Shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë në mbrojtje të Kushtetutës. Kushtetuta është vija e kuqe dhe e kuqe flakë e pakalueshme. Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit që përmes referendumit të mbrojë Republikën. Le të jetë populli shqiptar dhe vetëm ai  do të vendosë nëse pranon të rikthehet në diktaturë apo do të mbrojë demokracinë që është fituar me trimëri dhe sakrifica njerëzore. Vendimi i popullit dhe sovranit është mbi të gjitha. Referendumi është demokracia direkte është demokracia në veprim.

Presidenti do të bëjë gjithçka  që kjo liri të ushtrohet lirisht dhe pa asnjë pengesë. Kjo është detyra ime për të cilën jam betuar me dorën mbi kushtetutë dhe do ta mbroj ashtu sikundër jam betuar deri në fund. Të mbrojmë sot kushtetutën dhe përmes saj të ardhmen tonë dhe të fëmijë tanë”, tha Meta.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, referendumi organizohet përmes mbledhjes së firmave, ku duhet të jenë të paktën 50 mijë të tilla nga qytetarë me të drejtë vote.

Referuar deklaratës së Presidentit që do të kërkojë mbështetjen e popullit, pritet që Meta të nisë mbledhjen e firmave për organizimin e referendumit.

“Populli vendosi se sovraniteti i Republikës së Shqipërisë i përket vetëm atij. Populli vendosi se sovraniteti ushtrohet nga përfaqësues që dalin nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kushtetuta e 1998 mundësoi rivendosen e paqes sociale në vend dhe rotacionin normal politik. Kjo Kushtetutë fatkeqësisht u zhbë brenda natës nga marrëveshje politike e partive e vitit 2008. Deputetët nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit, por vetëm vullnetin e kryetarëve të partive. Ndryshimet që u bënë në vitin 2016 kanë nxjerrë në pah probleme të tjera akute.

Së pari, Kushtetuta u kthye në rregullore me data dhe afate që janë shkelur që të gjitha. Ky tejkalim afatesh ka shkaktuar kaos ligjor.

Së dyti, zbatimi i këtij procesi drastik do të duhej të ishte i kujdesshëm dhe gradual.

Së treti, zbatimi i ndryshimeve kaq të thella do duhej të zbatohej duke ruajtur frymën e bashkëpunimit. Zbatimi i  Reformës në Drejtësi vazhdon të jetë i njëanshëm. Kushtetuta po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllim përqëndrimin e të gjitha pushteteve në duart e Kryeministrit aktual.

Shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë në mbrojtje të Kushtetutës. Kushtetuta është vija e kuqe dhe e kuqe flakë e pakalueshme. Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit që përmes referendumit për të mbrojtur Republikën”, përfundoi Meta.