Situata e pandemisë ka krijuar probleme të mëdha në disa vende. I tillë është edhe Ekuadori. Rrugët e qytetit Guayaquil janë boshatisur, kanë mbetur pak banorë, ndërsa shumë të tjerë kanë humbur jetën. Por më e keqja, trupat e të vdekurve janë lënë në rrugë për shkak të mbipopullimit.
Pandemia e koronavirusit ka çuar në kolaps shërbimet publike të qytetit më të populluar në vend. Spitalet nuk kanë më vend për të pritur pacientët e sëmurë, ndërsa morgu, krematoriumet dhe agjencitë e funeraleve nuk kanë mundësi të merren me të gjitha rastet.
Duke mos pasur asnjë vend ku t’i dërgojnë, shumë banorë thonë se nuk kanë asnjë vend tjetër veçse trupat e pajetë t’i lenë në rrugë.
Është ende e paqartë nëse të gjithë viktimat janë duke humbur jetën për shkak të koronavirusit. Megjithatë shumë familjarë thanë se të dashurit e tyre kanë pasur simptoma të njëjta me virusin.
“Kemi pritur për pesë ditë”, tregoi një banor teksa ankohej që autoritetet nuk kanë ardhur ende për të marrë anëtarin e tij të familjes.
Ai shtoi se qytetarët janë lodhur duke telefonuar shërbimet e emergjencës pasi e vetmja gjë që thonë është të presin. Të tjerë banorë thonë se problem tashmë mbetet era në rrugë.
Guayaquil është një qytet që ka mbi 2 milionë banorë, ndërsa jetesa në këto momente atje mbetet një makth pasi njerëzit përveçse nuk kanë mundësi të vajtojnë siç duhet të afërmit e tyre janë të detyruar të jetojnë mes trupave të pajetë që shkakton Covid-19.