Në fjalimin e tij të parë si deputet i Kuvendit për të përfaqësuar mandatin e lënë nga Partia Demokratike, Lefter Maliqi zgjodhi të sfidojë kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.
Ai tha se ndjehej me fat që ka zëvendësuar një kryetar me mandat të dhuruar, ndërsa shtoi se salla e lënë bosh prej demokratëve do mbushet plot.
“Fati im që zura vendin e kryetarit me mandat të dhuruar, reshti i lënë bosh prej tyre do jetë plot. Të mos kujtojnë se do jenë më të mirë se ne. Demokratët të mos gënjehen më. Unë kam sakrifikuar bashkë me ta në protesta, 3 muaj shkova në çadër, ai na gënjeu dhe na mashtroi. Lidershipi me mandat të dhuruar mua sot ma ka dhuruar mua mandatin. I falënderoj banorët e djathtë dhe të majtë që më kanë mbështetur në sfidat politike”,- tha ai.
Maliqi tha më tej se PD ia kishte borxh atij këtë mandat.
“Rasti im është rast ndryshe, i drejtohem demokratëve të mos gënjehen më por të ndryshojnë lidership. Në protesta nuk ngrihet Tirana, vijnë nga bashki përreth, të ketë protestë e revoltë do të thotë të ngrihet Tirana. Gjithë kriza qëndron të lidershipi që siç gënjeu për listën e vendosi me familjen e vet, dhe pësoi disfatën më të madhe që ka marrë nga PS, po ashtu edhe në zgjedhjet vendore. Mandati im ka të bëjë me kthimin e dinjitetin dhe atë që më kishte borxh PD. Më kishte borxh edhe në zgjedhjet lokale kur humbi 5-0 zgjedhjet lokale në Berat. PD po bën të njëjtat gabime”, tha deputeti.
Ndërsa fliste, kryeparlamentari Ruçi i kujtoi se i kishte mbaruar koha.