Mediat greke zbardhin detaje nga atentati mafioz që i mori jetën 32-vjeçarit shqiptar Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, një emër i njohur i botës së krimit në Lezhë.
Sipas mediave greke, Brahimi nuk jetonte në Greqi, por në Emiratet e Bashkuara Arabe, vend ku strehohen edhe shumë personazhe të tjerë të krimit, qoftë për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare, apo si në këtë rast plumbave të armiqve. Ai ishte kthyer në Greqi për festën e Pashkëve, pasi aty jetonte bashkëshortja e tij Katerina Beqo dhe djali i vogël 7 vjeç.
Burime për mediat greke bëjnë me dije se ai kishte dhe një banesë tjetër në Athinë. Në Greqi, Roan Brahimi alias Sidorel Prendi rezulton me skedë të pastër penalë ndërkohë që bashkëshortja e tij është shprehur për grupin hetimor se ai kishte armiq në Shqipëri.
Nisur nga këto detaje, lihen dyshimet se autorët kanë patur informacion të saktë për të se kur është futur në Greqi, ku dikush duket se e ka spinuar 32-vjeçarit. Vrasësit ishin të maskuar dhe me motor, teksa po e ndiqnin makinën e tij, deri në momentin kur ndaloi dhe iu afruan duke hapur zjarr me breshëri.
Në drejtim të makinës ku ishte Roan Brahimi bashkë me bashkëshorten e tij, janë qëlluar më shumë se 100 plumba, ndërkohë që në afërsi të skenës së krimit ka qenë dhe djali 7-vjeçari i çiftit.
Por pse viktima konsiderohej rivali i Martinajt?
Roan Brahimi është një nga personat që dyshohet se ka pasur gisht në atentatin ndaj Ylli Ibrahimit, ku vdiq Klisman Preçi. Ai njihej edhe me emrin Sidorel Prendi.
Shkak për atentatin ndaj Ylli Brahimit u bë mosshlyerja e disa borxheve të bixhozit. Gjithçka lindi pasi Ylli e dërgoi Roan Brahimin në një nga bazat ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar. Bazë që ndodhet në afërsi të Fushë Kuqes, ku mendohet se Roan Brahimi është dhunuar në mënyrë barbare.
E gjitha kjo, për borxhet që lidheshin me lojërat e fatit. Me daljen e tij gjallë nga aty, ai thuhet se ka paralajmëruar Ylli Ibrahimin me fjalët: Nuk ta fal kurrë atë që më ke bërë!
Ndaj edhe u hakmor duke i zënë pritë, por plumbat i morën jetën vetëm Klinsman Preçit, i cili vetëm sa ishte ofruar të shoqëronte në banesë Ylli Brahimin.
Përveç atentatit në Kurbin, Roan Brahimi ishte shpallur në kërkim për terrorin që shkaktuan në një lokal në Zejmen të Lezhës ku u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021. Si autorë të së njëjtës ngjarje, u shpall në kërkim edhe ish-nipi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi.
Roan Brahimi ishte në kërkim policor edhe për ekzekutimin e Brilant Martinaj dhe miqve të tij, në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 korrik 2022. Por pozita e tij lidhur me këtë ngjarje nuk u zbardh, ose të paktën deri më tani. Megjithatë duket se e shkuara dhe hakmarrja për borxhet e bixhozit e kanë ndjekur edhe në Greqi, atje ku bashkë me të shoqen po prisnin të merrnin fëmijën nga parku.