Politika Nuk u realizua vota e emigrantëve, PD e Bashës kallëzon në SPAK...

Nuk u realizua vota e emigrantëve, PD e Bashës kallëzon në SPAK Lindita Nikollën

Partia Demokratike që përfaqësohet nga Lulzim Basha, ka kallëzuar në SPAK kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, të cilën e akuzon për shpërdorim detyre. Shkak për këtë kallëzim është bërë fakti që Kuvendi i Shqipërisë nuk ka përmbushur detyrimin për zbatimin e vendimit të Gjykatës për realizimin e votës së emigrantëve.

“Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore Enkelejd Alibeaj, edhe në cilësinë e deputetit dhe përfaqësuesit të Partisë Demokratike në Komision, me datë 15 nëntor 2023, në dritën edhe të detyrimit ligjor për zbatimin e vendimit 38 të Gjykatës Kushtetuese, ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”.

Në këtë projektligj është hartuar në formën e ndryshimeve ligjore edhe plotësimi i boshllëkut ligjor të evidentuar nga vendimi numër 38 i Gjykatës Kushtetuese. Ky projektligj ndonëse është depozituar në rrugën e zakonshme për depozitimin e projektligjeve ende, deri në ditën e depozitimit të këtij kallzimi, nuk është bërë pjesë e kalendarit të punimeve të Komisioneve të Përhershme apo seancës plenare të Kuvendit, pra nuk është futur në proces legjislativ.

Gjithashtu rezulton se me datë 11 dhjetor 2023 në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar edhe një projektligj tjetër “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, që adreson zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili edhe ai, nuk është përfshirë në kalendarin e punimeve të Komisioneve të përhershme apo seancën plenare të Kuvendit”, thuhet mes të tjerash në kallëzimin e dorëzuar në SPAK.

Vota e emigrantëve ka qenë një kusht që duhej zbatuar nga forcat politike, i dhënë me vendim të Gjykatës Kushtetuese.