Mallkimi i numrit 9 te kuqezinjtë duket se ka gjetur te Gonzalo Higuain një tjetër “viktimë”. Argjentinasi është i fundit, në një listë të gjatë sulmuesish, që kanë pasur vështirësi të mëdha me këtë fanellë te Milani. Ky i fundit nuk mundi të dalë dot nga kriza.
Barazimi 0-0 kundër Frosinone ishte një tjetër demonstrim i vështirësisë së madhe, që kuqezinjtë kanë për të gjetur rrugën e golave. Kjo ishte ndeshja e katërt radhazi, në të cilën të besuarit e Gattuso kanë dështuar për të shënuar qoftë edhe një gol të vetëm.
E gjithë skuadra është në “agjërim”, por është e vështirë të mos mendosh menjëherë për sulmuesit, në një situatë të tillë “thatësire”. Nën xhamin zmadhues është vendosur Higuain, edhe ai me fanellën numër 9, e cila, që nga koha kur e ka lënë Inzaghi, ka sjellë vetëm zhgënjime.
Fillimi i aventurës plot shpresë për Paton, i cili, në sajë të një fiziku tepër të brishtë, nuk arriti të përmbushë parashikimet e bëra prej tij. Me numrin 9 mbi supe (jo 7), braziliani luajti vetëm për një sezon, duke bërë vetëm katër paraqitje. Golat dhe asistet kanë një fjalë të vetme përcaktuese: zero.
Më mirë se Pato, por vetëm sepse shënoi 1 gol, u shfaq Matri, me numrin 9 mbi supe, në sezonin 2013-2014. Ai luajti 14 ndeshje me kuqezinjtë në Serie A, duke hyrë, ndër të tjera, nga stoli, në humbjen 3-2 kundër Parmës. Jo saktësisht ajo çfarë pritej nga ai.
Prezencat ndryshojnë, por jo substanca. Torres, i cili arriti te Milani në sezonin 2014-2015, mbajti numrin 9 në shpinë, shënoi një gol në dhjetë ndeshje të Serie A. Një aventurë italiane e vështirë për spanjollin, kurrë në qendër të lojës, si një trup i huaj te kuqezinjtë. Vetëm një vit qëndroi në Milano dhe pastaj u kthye si fitues tek Atletico Madrid.
Në bilanc, një nga numrat më të mirë 9 të viteve të fundit me fanellën kuqezi është Mattia Destro, i cili, megjithatë, nuk i shpëtoi mallkimit të lënë nga Inzaghi. Ish-romani, i cili arriti në Milano gjatë merkatos së janarit, shënoi 3 gola me “Djallin” në 15 ndeshje të Serie A. Kaq nuk mjaftoi për ta bindur klubin, që që të përqendrohej tek ai.
26 ndeshje dhe 4 gola në Serie A. Edhe Luiz Adriano është i detyruar të përkulet përpara mallkimit të numrit 9. Braziliani, i marrë nga Shakhtar, erdhi në Milano plot pritshmëri, por u venit ashtu si paraardhësit e tij.
Për prezencat dhe golat, është lojtari që ka regjistruar më së shumti në vitet e fundit. Lapadula, me 27 ndeshje dhe 8 gola të shënuar në Serie A, është numri 9 i kuqezinjve, që mund të mburret me rezultatin më të rëndësishëm, që kur Inzaghi e la këtë fanellë si trashëgimi. Edhe për atë, vetëm një sezon në Milano.
Me André Silva, ndjenja se numri 9 është me të vërtetë nën ndikimin e një mallkimi merr kuptim. Sulmuesi, që konsiderohet si e ardhmja e futbollit portugez, dështoi për ta shprehur talentin e tij te Milani, duke shënuar vetëm 2 gola në 20 ndeshje në Serie A (edhe pse bëri mirë në Kupën e Italisë). Te Sevilla, ai po përjeton një sezon të rëndësishëm, sepse ka shënuar 8 gola, dy prej të cilëve kundër Real Madridit.