Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, është shprehur këtë të mërkurë se në datën 31 Dhjetor në Shqipëri pritet që të vijnë 375 mijë vaksina Pfizer. Po ashtu, ministrja tha se po negociohet me Pfizer për kushtet e kontratës së re ku përgjatë vitit 2022 pritet që të vijnë 1.5 milionë doza vaksine.
“Qeveria shqiptare ka siguruar për qytetarët disponibilitetin e vaksinave. Aktualisht kemi aplikuar më shumë se 2.3 milionë doza vaksine. Kanë ardhur në Shqipëri më shumë se 2.6 milionë doza vaksine. Jemi në pritje në datën 31 Dhjetor sipas informacioneve të Pfizer dhe BE-së për një sasi tjetër dozash vaksine të Pfizer. 375 mijë vaksina do të mbërrijnë në fund të Dhjetorit në Shqipëri falë mbështetjes së BE-së dhe gjithashtu ne jemi në pritje të finalizimit të negocimit të kontratës së re me Pfizer për vitin 2022 ku pritet që të kemi përgjatë vitit 2022 rreth 1.5 mln doza vaksina”, tha Manastirliu.
Ministrja i ktheu përgjigje gazetarëve edhe sa i përket vaksinës turke Turkovax, për të cilën Presidenti Erdogan ka thënë se do ta ndajë edhe me vende të tjera.
Manastirliu u shpreh se deri më tani, nga instrumenti Covax, ku Shqipëria është pjesë e saj, nuk ka asnjë thirrje për marrjen e vaksinës turke. Megjithatë, sipas saj, nëse do të ketë, do ta vlerësojë Komiteti i Ekspertëve.