Aktualitet Manastirliu: Hapje graduale për sistemin shëndetësor

Manastirliu: Hapje graduale për sistemin shëndetësor

Sistemi shëndetësor pritet të hapet gradualisht për vizitat, konsultat dhe ndërhyrjet operatore. Gjatë inspektimit të punimeve në spitalin Covid 3, apo i njohur ndryshe si ish-shërbimi i  kirurgjive ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se po merren masa për hapjen e sistemit shëndetësor.

“Po tregohemi shumë të kujdesshëm, për të bërë rihapjen e butë dhe të sistemit shëndetësor përsa i përket planifikimeve, përsa i përket konsultave ambulatore, përsa i përket sistemit të vizitave që qytetarët sidomos ato që janë me sëmundje kronike duhet të kryejnë në sistemin tonë, qoftë në atë parësor edhe në atë spitalor. Ndaj jemi duke punuar për të krijuar një kalendar të hapjes sipas disa niveleve të sistemit shëndetësor duke filluar sigurisht nga struktura bazë që është kujdesi parësor dhe duke vijuar edhe në spitale”.

Duke u ndalur tek situata e pandemisë së koronavirusit  në vendin tonë, Manastirliu tha se spitali Covid 3, do të presë rastet që janë në fazë shërimi, në rast se do të ketë një shtim të të prekurve.

“Është një strukturë e cila është e mjaftueshme përsa i përket pacientëve të cilët janë në fazë shërimi dhe duhet vetëm të bëjnë periudhën e kovalishencës, ku do të shërbejë ish-klinika një dhe më pas edhe dy klinikat e tjera të cilat po bëhen gati për të pritur rastet, nëse do të kemi një fluks të të sëmurëve me Covid-19”.

Sipas ministres së Shëndetësisë plani i masave po fokusohet tek testimet, kapacitetet spitalore dhe monitorimi i të inefktuarve me Covid-19, por edhe rasteve asimptomatike që duhen mbajtur nën kontroll, për të mundësuar shkëputjen e zinxhirit të infeksionit ashtu siç parashikojnë edhe kriteret epidemiologjikë.