Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se po kryhet testimi për 14 persona të cilët kanë pasur kontakte me dy personat e infektuar nga koronavirus.
Ajo u shpreh se gjithsej janë testuar deri më tani 65 raste, ku vetëm dy kanë dalë pozitivë.
“Deri më tani janë testuar 65 raste, prej të cilëve 2 kanë rezultuar pozitivë. Në proces testimi janë 14 raste, që i përkasin kryesisht kontakteve të ngushta të rasteve që janë identifikuar pozitivë.
Sikurse kemi bërë deri më tani, do t’ju informojmë për çdo hap, vendim që do marrim”, njoftoi ministrja.
Ndërpriten ndërhyrjet kirurgjikale, përveç atyre të urgjencës
Manastirliu tha se në të gjitha spitalet e vendit do të ndërpriten ndërhyrjet kirurgjikale, me përjashtim të atyre të urgjencës.
“Ndalohen ndërhyrjet operatore kirurgjikale të planifikuara, duke përjashtuar ato që kanë lidhje me patologjitë malinje. Nuk do të ketë ndalim për shërbimet kirurgjikale të urgjencave. Këto masa nuk cenojnë shëndetin e qytetarëve, por vendosin rregulla për të forcuar masat dhe për t’iu përgjigjur më mirë situatës”, tha ajo.
“Kemi të gjitha planet e gatshme. Ato janë dinamike që ndryshojnë në varësi të shkallës së rrezikshmërisë dhe forcohen me masa të tjera shtesë dhe futen në funksion në momentin që ka një element për t’u vlerësuar. Dua të siguroj qytetarët që personeli është i mirëtrajnuar dhe kemi pasur kohën të bëjmë të gjithë trajnimet përkatëse. Nuk është hera e parë që mjekët dhe infermierët përballen me situata të pazakonta me viruse”, shtoi ministrja.
Ajo gjithashtu konfirmoi vendimin për anulimin e grumbullimeve masive si koncerte, tubime deri në 3 prill, si dhe ndalimin e eksporteve për barna dhe materiale mjekësore për të siguruar më shumë rezerva në vend.