Trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini, në një ndërhyrje në aktivitetin “Sport Lab” për 75-vjetorin e gazetave Corriere dello Sport-Stadio dhe Tuttosport, foli për shumëçka, duke nisur nga roli i tij.
“E kam të vështirë të ndihem trajner, nuk më pëlqen shumë kjo jetë. Gjëja ime e preferuar është të jem trajner çdo ditë. Kontrata? Së pari le të mendojmë për të fituar grupin e Ligës së Kombeve. Pastaj në qershor kemi Kampionatin Europian, që duam ta fitojmë. Është e vështirë të them se çfarë mund të ndodhë më pas. Unë dua të fitoj Europianin, të hakmerrem me fanellën axurre. Kundërshtarët që duhet të mposhtim do të jenë Franca dhe Spanja”.
Dy fjalë edhe në lidhje me dualizmin Immobile-Belotti: “Qendërsulmuesi për Kampionatin Europian tashmë është vendosur, nëse një Schillaci nuk del në momentin e fundit. Po i alternoj, sepse kemi luajtur tri ndeshje në 10 ditë. Ciro dhe Gallo janë miq, tani ka ardhur edhe Caputo. Në kohën time ishim 6 veta dhe të gjithë shumë të fortë. Me pak fjalë, ata duhet ta konsiderojnë veten me fat”.
Një vlerësim edhe për stadiumet e mbyllura: “Shpresoj që futbolli të kthehet në normalitet, sepse nuk mund të durojmë më. Covid po na shkatërron. Po të varej nga unë, do të lejoja më shumë tifozë në stadiume sot, mbase të shpërndarë mirë midis sektorëve të ndryshëm. Ka klube që kanë nevojë për të ardhura. Ekziston moralizmi kur thuhet se futbolli duhet të ndalet. Ata që thonë se futbolli nuk është thelbësor, jetojnë në një botë tjetër. Futbolli ka dhënë rezultate, duke u konsideruar një sport për të pasurit, por në këtë sektor ka shumë njerëz me paga shumë normale. Ka punëtorë të magazinës, ata që rregullojnë fushën, ata që pastrojnë dhomat e zhveshjes, kuzhinierë që përgatisin ushqimin. Ne kemi qenë në grumbullim me kombëtaren 11 ditë dhe kemi bërë 11 tamponë. Futbolli tashmë po jeton një situatë surreale”.
Kush do ta fitojë kampionatin? “Është shpejt për ta thënë. Milani ka qenë duke bërë mirë, që kur përfundoi bllokimi, edhe Napoli duket shumë i fortë. Zaniolo? Nëse diçka e tillë do të ndodhte, dëmtim kaq serioz, mirë që ndodhi në shtator, kështu që Nicolò do të ketë kohë të rikuperohet. Ai është një djalë i ri, ka një trup të shëndetshëm dhe mendoj se do të jetë gati për ndeshjet në mars. Nuk do të ketë ndonjë problem për të qenë në Kampionatin Europian”.