Paga e muajit mars le të shkojë për projektet e “Fondazione Milan” për të rinjtë. Është zgjedhja e sulmuesit Mario Mandzukic, kroatit që nuk ka pranuar ta marrë pagën e muajit të kaluar, pasi nuk ka luajtur për shkak të dëmtimit që e ka lënë jashtë fushave.
“Një gjest i jashtëzakonshëm, – ka thënë presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, – që tregon etikën dhe profesionalitetin e Manxhukiç, si dhe respektin e tij për Milanin. Klubi ka mundësi kështu ta mbështesë më shumë “Fondazione Milan” për projektet që kanë të bëjnë me të rinjtë, për kushtet social-ekonomike dhe edukative, sepse sporti është një instrument i përfshirjes sociale”.
Mandzukic nuk luan prej 18 shkurtit të kaluar, që nga ndeshja e Ligës së Europës në Beograd ndaj Crvena Zvezdës. Pas disa javësh rikuperimi, ai më në fund është kthyer në dispozicion të trajnerit Stefano Pioli dhe është gati për ndeshjen e së dielës ndaj Xhenoas, por me siguri do ta nisë nga stoli. Kroati shpreson që në këtë fazë finale të sezonit ta bindë klubin kuqezi t’i rinovojë kontratën edhe për sezonin e ardhshëm.