Për të garantuar mbarëvajtjen e këtij manifestimi, Sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, Ornela Zonja, i ka dërguar një shkresë zyrtare Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Në dokument përcaktohet orari i nisjes së manifestimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, por jo i mbylljes së tij.
“Për Republikën, për Kushtetutën, për Kombin, për Unitetin e popullit”, kjo do të jetë motoja e tubimit të parë antiqeveritar, në vitet e pluralizmit, të thirrur nga një President i Republikës.
Ky i fundit në shkresën drejtuar Ardi Veliut, figuron si organizator, së bashku me këshilltarët e tij, Bahri Shaqiri, Shemsi Premci dhe Dedë Prenga.
Ashtu si në deklaratën e së shtunës së presidentit dhe në njoftimin për Policinë e Shtetit theksohet se çdo gjë do të jetë paqësore dhe përkrahësit e Metës do të kenë në duar flamurin kombëtar dhe mimoza, për të simbolizuar nisjen e pranverës shqiptare.
Ornela Zonja i kërkon policisë të sigurojë mbarëvajtjen e aktivitetit, por pa praninë e dukshme të policëve.
Monika Kryemadhi e Lulzim Basha, edhe pse do t’i bashkohen protestës, nuk do të mbajnë fjalë. I vetmi politikan që do të flasë në manifestim, do të jetë Presidenti i Republikës. Ndërsa personalitete të tjera publike do të kenë mundësinë t’i adresohen popullit, thuhet në shkresën e sekretares së Përgjithshme të Presidencës, raporton televizioni A2.
Basha: Nesër në mbrojtje të Kushtetutës
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka konfirmuar pjesëmarrjen në manifestimin që do të organizohet nga Presidenti Meta, ditën e hënë.
Me anë të një statusi në “Facebook”, Basha shkruan se është detyrë, si qytetar, të mbrohet Kushtetuta.
“Si qytetar i vendit tim, si bashkëshort dhe si prind, është detyra ime të mblidhem së bashku me bashkëqytetarët e mi në mbrojtje të kushtetutës! Mirë u takofshim nesër në orën 17:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit”, shkruan Basha.