Egla XHEMALI
Në 20-vjetorin e “Opinion”, Blendi Fevziu rrëfen për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare” se do të rikthehet në 7 shtator në një transmetim maratonë prej 10 orësh. E duke folur për emisionin e tij, moderatori ndan me lexuesit tanë edhe tekat dhe manitë e të ftuarve.
Më tej ai flet edhe për marrëdhëniet që ka me politikanët shqiptarë, duke veçuar Ramën dhe Berishën. E si një adhurues i udhëtimeve, Blendi ndan edhe eksperienca e tij mes kulturave historisë të vendeve që viziton.
Birmania duket se do të jetë destinacioni i kësaj vere për të. Babai i dy vajzave, gazetari nuk ka asnjë peng që nuk ka një djalë, por pengu tij më i madh është që s’ka kaluar kohë mjaftueshëm me vajzën e tij të madhe.
Si ka nisur vera për Blendin?
Me më shumë pushime e njëkohësisht me një impenjim më të madh. Në 7 shtator po mendojmë një takim të veçantë për të festuar 20-vjetorin e emisionit “Opinion”. Ka nisur më 31 gusht 1997. Është një organizim i vështirë, që po mundohemi ta bëjmë sa më interesant. Keni lënë pas një sezon të ngjeshur në “Opinion”.
Si ka qenë në spektrin tuaj?
Unë besoj se ka qenë ‘OK’, por për këtë duhen pyetur më shumë shikuesit.
Cila ka qenë puntata më e vështirë që ka realizuar Blendi gjatë këtij sezoni? Po i ftuari më tekanjoz?. Nuk di t’ju them se cila ka qenë puntata më e vështirë. Çdo puntatë ka vështirësinë e saj, edhe ajo që duket më e thjeshta. I ftuar tekanjoz? Ka shumë të tillë. Shumica e të ftuarve kanë tekat dhe manitë e tyre.
Shpesh dukeni agresiv me disa politikanë, në fakt si i keni marrëdhëniet me ta jashtë kamerave?
Korrekte pothuaj me të gjithë.
Është përfolur shumë në media për largimin tuaj nga Berisha. I keni çuar një ftesë?
Nuk kam punuar ndonjëherë për Berishën që të largohesha prej tij. Unë kam pasur një raport më miqësor me të, i cili në 2012 ngriu për arsye që i kam sqaruar disa herë. As kam bërë fjalë, as debat me Berishën. Thjesht nuk kemi komunikuar më, pas njërit prej emisioneve të mi.
Si janë raportet tuaja me Ramën jashtë ekranit? A ju ka kërkuar ndonjëherë mos ta ngacmoni më?
Raport korrekt si me gjithë politikanët e tjerë. Jo, jashtë ekranit, aq sa kemi komunikuar nuk kemi folur për emisionin apo pyetjet.
Njiheni si një nga personazhet që adhuroni udhëtimet. Cilat do jenë destinacionet e kësaj vere? A ka një vend, që ende nuk keni pasur mundësi ta vizitoni? Padyshim që ka shumë vende që nuk kam vizituar. Por për arsye specifike, disa prej tyre nuk vizitohen në verë. Në verë qëndroj më shumë në Europë. Por kam ndërmend të vizitoj gjatë vjeshtës Birmaninë, ose Myanmarin, sixc quhet tani. Dhe më konkretisht Barganin. Një qytet magjik. Dua të vizitoj gjithashtu Ruandën dhe Panamanë. Por këto janë vetëm plane.
A ekziston një vend që ju ka zhgënjyer pasi e keni vizituar?
Jo, zakonisht jo. Çdo vend ka veçantinë e tij.
A duhet të jesh i pasur që të shëtisësh botën?
Zakonisht të pasurit edhe kur shëtisin nuk shohin gjë. Qëndrojnë në hotele të sigurta dhe të shtrenjta dhe ato nuk janë asnjëherë realiteti i vendit që viziton. Jo, udhëtimi kërkon një lloj buxheti, por gjithnjë modest. Është më shumë të dish se sa të kesh. Sot çmimet e biletave janë më të lira për të udhëtuar nga Tirana në Bangkok apo Kuala Lumpur se sa në Vjenë apo Paris. Mund t’i kontrolloni ‘online’. Hotelet në Azi dhe Afrikë kushtojnë shumë më pak se në Europë dhe transporti i brendshëm po ashtu. Ndaj varet sa do të udhëtosh.
Keni korrur shumë sukses me librat tuaj. Kur do e botoni librin e ardhshëm?
Besoj se do jetë gati në shkurt të vitit të ardhshëm.
Sa e vështirë është të jesh edhe gazetar, edhe shkrimtar?
Për mua ka qenë gjithnjë kënaqësi dhe pasion. Por çdo pasion ka brenda vetes vështirësitë e tij.
Babai i dy vajzave, a keni peng që nuk keni një djalë?
Jo, jam shumë i lumtur me vajzat dhe më vjen keq vetëm që vajzës së madhe nuk i kam kushtuar në fëmijëri kaq kohë sa po i kushtoj vajzës së vogël. Por me të madhen udhëtojmë shumë dhe ajo kënaqet në destinacionet që zbulojmë.
Personazhi apo paneli i parë i emisionit?
Tani po jua zbuloj ju si fillim. Do nisim më 7 Shtator me një transmetim maratonë prej 10 orësh, ku do jenë të ftuar shumë e shumë personazhe të “Opinion” në këto 20 vjet. Më shumë detaje ju jap në fund të gushtit.