Aktualitet Manja nga burgu i Peqinit: Prokuroria po heton ngjarjen, sot u dha...

Manja nga burgu i Peqinit: Prokuroria po heton ngjarjen, sot u dha urdhri që Mjacaj të izolohej në “41 biss”

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka shkuar në ambientet e burgut të Peqinit, atje ku një i dënuar mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos. Ai shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimës Arben Lleshi si dhe i uroi shërim të shpejtë Indrit Shaqjas.

Manja deklaroi se me të gjithë dinamikën e ngjarjes po merret Prokuroria e Elbasanit në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Policinë e Shtetit.

“Dua të ngushëlloj familjarët e të dënuarit që ka humbur jetën, dua t’i uroj shërim të shpejtë të dënuarit të plagosur dhe dua të garantoj familjarët e të dënuarve që situata e sigurisë është terësisht në kontroll. Autori është me burgim të përjetshëm dhe po e vuante këtë dënim në burg të sigurisë së lartë dhe pas kryerje së krimit i është dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Pas dorëzimit ai është vënë në dispozicion të drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit që kanë asistuar këtë ngjarje të rëndë. Ngjarja është e rëndë, por nuk ka pasur asnjë moment cenim të jetës të punonjësve. Për dinamikën e ngjarjes, shkaqet janë hetime që po i zhvillon prokuroria. Gjej rastin të falenderoj Policinë e Shtetit, Forcat Operacionale”, deklaroi Manja.

Më tej ai u shpreh se urdhri për transferimin e autorit të vrasjes Sokol Mjacaj në regjimin e posaçëm “41 biss”* u dha ditën e sotme duke shtuar se shtimi i masave të sigurisë në burgje është një praktikë e çdo fundviti.

Prononcimi i ministrit për gazetarët:

-Në çfarë ambienti është qëlluar ArbenLleshi?

Ulsi Manja: Unë jam ministri i Drejtësisë dhe nuk jam prokurori. Sigurisht zbardhjen e plotë të dinamikës janë çështje që i përkasin hetimit, dhe nuk dua të cenoj asnjë element të hetimit sepse do ketë në orët në vazhdim, pasi të merret në pyetje edhe i dënuari, do ketë një komunikim për opinionin publik aq sa e lejon hetimi.

-Kur është transferuar në këtë burg?

Ulsi Manja: Sokol Mjacaj ka qenë duke vuajtur dënimin në JVP Peqin që është burg i sigurisë së lartë dhe ka një regjim të posaçëm. Sot ka urdhëruar vendosjen në regjim të posaçëm për ngjarje të tjera që lidhen me të dënuarin, në materialin që shoqëron urdhrin tim janë të detajuara arsyet.

-Pse nuk është vënë më herët në regjim të posaçëm?

Ulsi Manja: Sepse ka një procedurë për vendosjen e një personi në regjim të posaçëm, edhe mënyra e komunikimit ka një procedurë të caktuar që e vendos Drejtoria e Përgjithshme e Burgut. Ju lutem mos më bëni pyetje që cenojnë hetimin që po zhvillon Prokuroria në bashkëpunim me ne dhe Policinë e Shtetit. Unë jam këtu sonte dhe do jem në ditët në vazhdim për të nxjerrë të gjitha përgjegjësitë ligjore e administrative të institucionit që drejtoj unë. Ndoshta kjo ngjarje e përshpejtoi urdhrin për rritjen e nivelit të gatishmërisë sepse është praktikë që bëhet gjithnjë në prag të festave. Por dua ta them qartë, të gjithë familjarët e të dënuarve që janë në institucionet tona të qetësohen, që situata e rendit e sigurisë në të gjitha burgjet është nën kontroll. Regjimi i posaçëm “41 biss” ka vazhduar me procedurat dhe në ditët në vazhdim do ketë persona që do i nënshtrohen këtij regjimi.

***

Mjacaj e kreu vrasjen rreth një orë pasi u bë publik urdhri se ai do të transferohej në “41 biss”.

41 biss është një formë të rreptë izolimi për të dënuarit që nuk kishin hequr dorë nga shkelja e ligjit dhe brenda qelisë u jepnin urdhra bandave të tyre kriminale. Në Shqipëri ky regjim i posaçëm u aplikua për herë të parë në vitin 2020. Deri më tani, janë 15 njerëz të botës së krimit që e kanë provuar regjimin 41 bis në qeli izolimi të ngritura në burgun e sigurisë së lartë në Peqin dhe tek 313-a në Tiranë.