Aktualitet “Nuk do lëmë asnjë mashkull gjallë”, si u vranë burrat e fisit...

“Nuk do lëmë asnjë mashkull gjallë”, si u vranë burrat e fisit Lleshi, i fundit u ekzekutua sot në burgun e Peqini

Një ngjarje e rëndë tronditi vendin ditën e sotme, ndërkohë që nxori në pah edhe sa i brishtë është sistemi i burgjeve në vendin tonë.

Vrasësi i dy turistëve çekë në vitin 2015-të, Sokol Mjacaj i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm dhe po e vuante në burgun e Peqinit, ka vrarë me pistoletë Arben Lleshin (edhe ky i dënuar përjetë) si dhe ka lënë të plagosur Indrit Shaqjan, ky i fundit dyshohet se është qëlluar gabimisht.

Për vrasjen e sotme në burgun e Peqinit të Arben Lleshit, dyshohet se ka ardhur për shkak të gjakmarrjes dhe se autori i dyshuar i krimit mund të jetë pajtuar nga të tretë.

Arben Lleshi i cili mbeti i vrarë ditën e sotme ka qenë i dënuar në Britani me 32 vite burg pasi akuzohej se në vitin 2012-të vrau dhe më pas dogji trupin e  bashkatdhetarit të tij Agim Hoxha.

Pas kësaj ngjarjeje dyshohet se fisi Hoxha ishte betuar “për të mos lënë asnjë mashkull gjallë” nga familja Lleshi.

Në vitin 2013 u vra në pritë në vendin e quajtur “Pujkë” xhaxhai i Arben Lleshit Xhavit Lleshi, ndërsa në vitin 2016 u vra para derës së shtëpisë Hajredin Lleshi.

Ndërkohë, po nga i njëjti trung familjar në vitin 2017 është rrëmbyer në Kamëz dhe zhdukur Artan Lleshi.

Ndërkohë, në vitin 2020, dyshohet se 21-vjeçari Klevis Lleshi është rrëmbyer në qytetin e Burrelit. Eshtrat e tij u gjetën pas afro tre vitesh në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit.

Në asnjërën nga këto vrasje policia nuk ka mundur të gjejë autor pasi ato kanë qenë të tipit mafioz dhe nuk janë lënë gjurmë në vendin e krimit.

Për çdo vrasje janë marrë në pyetje anëtarët e familjes Hoxha nga fshati Shqefën i Macukullit, por kanë mohuar që të kenë dorë ata në këto vrasje, ndërsa policia nuk ka mundur dot të ngrejë akuzë ndaj tyre.

Për vrasjet me armë zjarri autorët kanë zhdukur gjurmët në mjete, ku në vitin 2013 dyshohet se mjeti me të cilin u krye vrasja në vendin e quajtur “Pujkë” është hedhur në liqenin e Shkopetit, ndërsa ajo e vitit 2016 është djegur pak kilometra larg vendit të ngjarjes.