Vendimi i presidentit Gjorgje Ivanov që të mos e mandatojë Zoran Zaev për kryeministër, pavarësisht mbledhjes së nënshkrimeve, ka ngjallur një varg reagimesh në Maqedoni, përfshirë edhe atë të ambasadorit të SHBA-së në Shkup.
Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, arrin të enjten në Maqedoni, në kuadër të vizitës në rajon dhe do të zhvillojë takime me liderët e partive politike lidhur me gjendjen e krijuar pas vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për të mos mandatuar liderin opozitar, Zoran Zaev për kryeministër.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Maqedoni, Jess Baily, i ka bërë thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, që ta shqyrtojë vendimin për mos mandatim të liderit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, për kryeministër të Maqedonisë.
Baily tha se vendimi i Ivanovit nuk përputhet me parimet demokratike dhe sundimin e së drejtës si vlera thelbësore për integrimin euroatlantik të këtij vendi.
“Si partnerë dhe miq strategjikë të Maqedonisë, duke e respektuar plotësisht edhe sovranitetin e shtetit, i bëjmë thirrje presidentit Ivanov që ta rishqyrtojë këtë vendim. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje fqinjëve të Maqedonisë që të jenë të përmbajtur dhe të tregojnë konstruktivitet, duke pasur parasysh situatën e ndjeshme politike në Maqedoni “, tha Baily.
Vendimin për të mos e mandatuar Zaevin për kryeministër, Ivanov e arsyetoi me platformën e partive shqiptare, e cila, sipas tij, rrënon sovranitetin dhe karakterin unitar të shtetit.
Platforma, thonë partitë politike shqiptare, synon zgjidhjen e të drejtave etnike të shqiptarëve dhe pjesë të saj, në veçanti ajo për zyrtarizmin e shqipes, u bënë pjesë e marrëveshjes mes LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim për formimin e qeverisë së re.
Partia e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, edhe sot ka ritheksuar se do të mbështes qeverinë e Zoran Zaevit nëse ai heq dorë pikërisht nga realizimi i platformës së partive politike shqiptare.
“Realizimi i platformës nga Tirana do të thotë ridefinim i plotë i Republikës së Maqedonisë, shndërrimi i saj nga shteti multietnik në binacional i cili në fazat e vona do të federalizohet, kantonizohet dhe ndahet. VMRO-DPMNE-ja nuk do të lejojë realizim të skenarit të tillë i cili është në kundërshtim me interesat shtetërore dhe nacionale… Në të kundërtën, shumica e qytetarëve e mbështetën programin e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicioni ‘Për një Maqedoni më të mirë’ dhe VMRO-ja ka obligim ndaj votuesve që ta respektojë dëshirën e tyre”, theksohet në komunikatën për media të VMRO-DPMNE-së.
Lideri i partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në profilin e tij në FB ka theksuar se deklarata e përbashkët e partive shqiptare, pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, është hartuar në Shkup dhe vetëm është nënshkruar në Tiranë. Ahmeti thekson se platforma shqiptare në asnjë mënyrë nuk e cenon shtetin e Maqedonisë.
“Kjo deklaratë në asnjë mënyrë apo formë nuk cenon shtetin, karakterin unitar e as që bën fjalë për federalizim apo ndarje. Partitë shqiptare nuk ishin shkas për krizën sistemore në vend dhe duke pasur këtë parasysh, ftoj partitë politike shqiptare që të përmbahen nga të shndërruarit e krizës sistemore dhe brenda etnike në një përplasje ndëretnike midis dy komuniteteve shumicë të këtij vendi. Gjithashtu, ftoj partitë politike maqedonase që të përmbahen në shprehjen e pakënaqësisë së tyre nga implikimi i elementit ndëretnik për arsye të ndjeshmërisë së shoqërisë sonë”, shkruan në profilin e tij në Facebook, Ali Ahmeti .
Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike daljen nga kjo situatë e rëndë politikee shohin në mbledhjen e parlamentit me vetë iniciativë duke anashkaluar vendimin e presidentit Ivanov.
“Përfundimisht, partitë politike shqiptare me Zoran Zaevin që ka shumicën në bllokun politik maqedonase mund ta formojnë shumicën parlamentare në parlament dhe ta fillojnë procesin e parlamentarizmit në Maqedoni. Republika e Maqedonisë edhe në bazë të Kushtetutës së Maqedonisë është republikë parlamentare, nuk është republikë presidenciale. Fuqinë ka në dorë parlamenti dhe jo presidenti dhe këtë fuqi duhet ta marrin në dorë deputetët e zgjedhur të përbërjes së re parlamentare që tanimë kanë krijuar shumicën parlamentare prej 57 deputetëve”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Blerim Reka nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Njohësit e çështjeve të sigurisë, thonë se kriza politike në vend po hyn në një fazë kritike të sigurisë duke e transferuar problemin me luftën kundër krimit të organizuar në atë ndëretnik.
“Situata e sigurisë në Maqedoni hyn në një fazë të komplikuar. Veçanërisht për shkak të deklaratave të papërgjegjshme të disa politikanëve, këtu para së gjithash mendoj në deklaratat e ish kryeministrit Nikolla Gruevski që qytetarët të vihen në mbrojtje të shtetit unitar, por realisht pas kësaj fshihet përpjekja e drejtuesve të VMRO DPMNE-së që të mos e lëshojë pushtetin dhe të mos përballen me drejtësinë për veprat që kanë të bëjnë me kriminalitetin”, thotë Bllagoja Markovski, ekspert për çështje sigurie./ Evropa e Lirë