Flamuri i Aleancës Veri-atlantike është ngritur në një ceremoni solemne para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup.
Ky është akt në të cilin kanë marrë pjesë personalitete të larta të politikës vendore dhe ndërkombëtare, është vlerësuar si historik, pasi, sipas kryeministrit, Zoran Zaev, anëtarësimi në NATO e bën këtë shtet më të sigurt dhe me perspektivë.
“Sot me plot siguri themi se atdheu ynë është në rrugën e vërtetë drejt progresit dhe zhvillimit të pa penguar. Ia arritëm. Nga rrugët dytësore të Ballkanit ku pritëm me dekadat të tëra, tani jemi në autostradën kryesore drejt Evropës. Të gjithë mund të jemi krenar, pasi po jetojmë në kohën modern të ndërtimit të një shoqërie demokratike, të qytetarëve të barabartë, të cilët synojnë të arrijnë vlerat evropiane. E ardhmja më nuk është fat, ne kemi marr të ardhmen në duart tonë, të cilët edhe e kemi përcaktuar. Me këtë marrim edhe përgjegjësinë që të realizojmë synimin tone histori”, deklaroi Zaev.
Ai shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë ditë të rëndësishme, përfshirë edhe palën greke, përkatësisht Qeverinë dhe shumicën parlamentare, e cila sipas tij nuk u gjunjëzua para presioneve të fuqishme, por më guxim dhe vendosmëri iu përkushtuar zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar mes dy vendeve për çështjen e emrit.
Zaev tha se ditët në vazhdim pason edhe një fazë e rëndësishme, ajo e zbatimit në përpikëri e Marrëveshjes së Prespës dhe me këtë të ndërtimit të shtetit sipas standardeve e vlerave evropiane.