Me pretekstin se miratimi i ndryshimeve kushtetuese është i dëmshëm për vendin, identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase, kreu i partisë më të madhe opozitare në shtetin fqinj, VMRO DPMNE, Hristijan Mickovski ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
“Zoran Zaev e riemërtoi atdheun para kohe duke u bazuar në një marrëveshje e cila ende nuk ka hyrë në fuqi. Kjo është e turpshme! Maqedonia sot nuk feston, sepse u shit, u shkel e u shkatërrua. VMRO-DPMNE-ja do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj që në të ardhmen ta rregullojë këtë padrejtësi”, ka deklaruar Mickoski, duke paralajmëruar se të hënën do të paraqesë kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, në të cilat, siç tha ai, “Zaevi do të marrë dënimin e merituar nga populli për vendimin kapitullues”.
Zaev reagoi duke thënë se organet e partisë së tij, LSDM, do të shqyrtojë kërkesën e opozitës, edhe pse Mickovski, sipas tij, kërkon zgjedhje, “por lutet që kjo të mos pranohet”.
Mbrëmjen e së premtes, Kuvendi i Maqedonisë miratoi me 81 vota “pro” ndryshimet kushtetutese për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë për zgjidhjen e kontestit 27-vjeçar të emrit. Ujdia e arritur mundëson anëtarësimin e saj në NATO me emrin Maqedonia e Veriut si dhe nisjen bisedimeve për anëtarësim në BE qershorin e këtij viti.
Kontesti mes dy vendeve daton që nga viti 1991, kur Maqedonia kishte shpallur pavarësinë, ndërsa Greqia kishte bllokuar integrimin e saj në NATO dhe BE.