Situata në Maqedoninë e Veriut vijon të jetë e rënduar nga koronavirusi edhe pse izolimi u rikthye në fundjavë në disa komuna.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 111 raste të reja, ndërsa dy persona të prekur me Covid-19 kanë ndërruar jetë. Deri tani, në Maqedoninë e Veriut janë konfirmuar të vdekur 153 persona, ndërsa të prekurit janë mbi 3 mijë.
Pjesa më e madhe e shteteve të rajonit kanë pësuar një rënie të numrit të rasteve të reja, ose ato kanë qëndruar të pandryshuara, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ka pasur një rritje gjatë ditëve të fundit.
Po ashtu, edhe vdekshmëria për 1 milion banorë është më e larta në Maqedoninë e Veriut, e cila ka shkuar tashmë në 73 persona. Ndërkohë, në Shqipëri janë 12 të vdekur për 1 milion banorë, ndërsa në Greqi kjo shifër është 17 dhe në Serbi 28, sipas të dhënave të “worldometers”.