Extra Margarita Xhepa feston ditëlindjen, Meta lule për aktoren e madhe

Margarita Xhepa feston ditëlindjen, Meta lule për aktoren e madhe

Aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare prej ditësh ndodhet e shtruar në spital, pasi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Presidenti i Republikës Ilir Meta i bëri një vizitë surprizë në spital, aktores së madhe të kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, me rastin e ditëlindjes së saj. Margarita Xhepa mbush sot më 2 prill, 87 vjeçe

“Shumë pranvera të tjera të lumtura për yllin e kinematografisë shqiptare, të papërsëritshmen, Margarita Xhepa. I uroj shërim të shpejtë, besimplotë se do ta shohim sërish në skenë me të tjera role, që do t’i shtojnë freskinë buqetës së saj të jashtëzakonshme artistike” shkruan Meta ne profilin e tij ne Facebook.

Margarita Xhepa një nga yjet e kinemasë e teatrit shqiptar sot mbush 87 vjeç. Ajo ka lindur më 2 prill 1932 në qytetin e Lushnjës. Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, Dega e Dramës. Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek “Majlinda” (Xhemal Broja), Dafina tek ” Lumi i vdekur”, , Filja tek “Cuca e maleve”, Zonja Mëmë tek “Kush e solli Doruntinën”,Nëna “, tek “Përballë vetes”, etj. Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, Vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, Dado tek “Romeo e Xhulieta”, Mbretëresha Margaret tek “Rikardi i III”, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek “Dhelpra dhe rrushtë” (Figereido), Lena tek “Xhaxha Vanja” (Çehov), Ledi Milford tek “Luiza Miler” (Shiler), Zonja Berling tek “Vizita e inspektorit” (Pristli), Zonja Lomen tek “Vdekja e një komisioneri” (A. Miller), Ana Andrejevna tek “Revizori” (Gogol), Marsela tek “Qeni i kopshtarit” (De Vega), Mashenka tek “Mashenka” (Afigenov), Shejla tek “Morali i zonjes Dulska” (Zapolska), apo Dado tek “Elektra” e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë, në Athinë.

Veç roleve në teatër, ka realizuor edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Në vitin 1997 interpretoi ne filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh ne Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit. Margarita Xhepa përtej moshës nuk e ka braktsur teatrin dhe filmin. Ajo vijon të shkëlqejë si një nga karakteret më të mira të kinemasë e teatrit shqip. Shqiponlinë i uron shërim të shpejtë e shumë vite të tjera pranë nesh.