BIRN tregon për orët e fundit të jetës së një serbi në shtëpinë e një trafikanti të dyshuar droge në Kolumbi, duke ofruar një vështrim të rrallë në lidhjet gjithnjë e më të thella midis bandave të drogës në Ballkan dhe vendit të Amerikës së Jugut.
Nga Charles Parkinson / BIRN – Bogota
Shtatëdhjetë e një ditë pasi Dejan Stanimiroviç u gjet në anë të një rruge në Kolumbi, i plagosur me armë zjarri në fytyrë, eshtrat e 45-vjeçarit serb u varrosën në varrezat qendrore të Villavicencios, ku gurët e varreve zhyten në tokë dhe arkitektura e stilit kolonial po prishet për shkak të klimës tropikale të qytetit.
Stanimiroviç nuk vdiq duke luajtur lojën e ruletës ruse, siç pretenduan fillimisht mediat.
Në fakt, ngjan si një debat pas një sërë ngjarjesh konfuze në departamentin Meta të Kolumbisë në juglindje të kryeqytetit Bogota natën e 31 marsit të këtij viti, në të cilën vdiqën gjithashtu edhe dy oficerë policie dhe një trafikant i dyshuar droge.
Hetuesit thonë se ka një sërë pyetjesh të rëndësishme që mbeten pa përgjigje, por detajet e mbledhura nga BIRN ofrojnë një vështrim të rrallë në veprimtarinë ballkanike të krimit të organizuar në kombin e Amerikës së Jugut, një trend në rritje që autoritetet po përpiqen ta kuptojnë.
“Nuk mendoj, duke pasur parasysh vendin dhe mënyrën e vdekjes, se ai ishte një turist”, tha një oficer i lartë i Policisë Kombëtare Kolumbiane, i cili foli në kushte anonimiteti. “Ai nuk ishte këtu për ekoturizëm.”
“Markosi” i qetë
Stanimiroviç, i cili u rrit në Beograd dhe drejtonte një klub karateje në Spanjë, hyri në Kolumbi nga Ekuadori përmes urës Rumichaca, diku në mes të marsit. Këtë herë, ai ishte vetëm.
Hetuesit që folën për BIRN thanë se qytetari serb e kishte vizituar vendin më parë, ndoshta në janar. Ai njihej në vend me emrin “Markos”.
Sipas kolonel Gustavo Berdugo Garavitos, komandant i Policisë Kombëtare Kolumbiane në Meta, Stanimiroviç bëri 1000 kilometra rrugë për të shkuar në qytetin Meta të Guamalit dhe shtëpinë e Jose Vicente Rivera Mendozës, i njohur si “Soldado” ose “ushtari”.
Rivera ishte një trafikant i dyshuar droge në Meta, ku Andet takojnë pjesën më perëndimore të një brezi të gjerë të savanës tropikale të njohur si Los Llanos.
Të ndodhura midis zonave të prodhimit të kokainës në malet dhe xhunglat e jugut dhe lindjes së Kolumbisë dhe pikave të eksportit përmes Venezuelës, Los Llanos janë një rrugë e gjerë për trafikantët e drogës dhe kontrabandë tjetër dhe një zonë veprimtarie për grupe të paligjshme të armatosura.
Disa nga këto grupe i gjejnë rrënjët e tyre tek organizatat paraushtarake të mbështetura nga pronarët e tokave të krijuara në vitet 1980 për të luftuar guerilasit e majtë, të cilët e kishin rritur pushtetin e tyre duke tregtuar lëndë narkotike. Këta paraushtarakë më pas u bënë trafikantë të mëdhenj droge dhe kriminelë të organizuar, dhe shumë nga lojtarët kryesorë në grupet e armatosura aktive të ditëve të sotme më parë ishin paraushtarakë.
Si një ish-anëtar i vjetër i Bllokut paraushtarak “Centaurët” që operonte në Meta dhe departamentet fqinje, Rivera kishte refuzuar të merrte pjesë në një proces paraushtarak çmobilizimi në Kolumbi midis vitit 2003 dhe 2006.
Rreth kohës së mbërritjes së Stanimiroviçit, Kolumbia mbylli kufijtë e saj për të kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe ai nuk qe në gjendje të largohej. Ai rrallë dilte nga shtëpia e Riverës dhe zor se fliste me ndonjë.
Sipas hetuesve, Stanimiroviçi flinte ditën dhe rrinte zgjuar natën, shpesh duke kaluar me orë të tëra në dhomën e tij duke parë televizor.
“Ai fliste vetëm me Soldadon”, tha një nga hetuesit, duke përdorur pseudonimin e Riverës.
Njerëz të tjerë në shtëpi i thanë policisë se Stanimiroviçi fliste aq pak spanjisht, saqë ata shpesh kufizoheshin duke komunikuar me një anglishte të çalë.
“Të gjithë thanë se ai ishte një djalë i qetë dhe i respektueshëm deri atë ditë”, më 31 mars, tha një tjetër hetues, të cilët folën të tre në kushte anonimiteti.
Mosmarrëveshje vdekjeprurëse nga pija
Rivera dhe Stanimiroviçi e kaluan pasditen e tyre të fundit së bashku në shtëpinë e Riverës me familjen e tij, duke ngrënë drekë para se dyshja të largohej për të vizituar një fermë.
Ata që qëndruan pas, thuhet se filluan të pinë “aguardiente”, një pije alkoolike kolumbiane me aromë glikanxoje, zakonisht e konsumuar me shotsa. Kur Rivera dhe Stanimiroviçi u kthyen rreth orës 20:00, ata iu bashkuan të tjerëve duke pirë.
Sipas hetuesve, Stanimiroviçi i tha grupit se ai zakonisht nuk pinte alkool sepse merrte ilaçe për një problem shëndeti mendor. Duke qenë se jeta e tij ishte gjithmonë nën kërcënimin e trafikantëve rivalë, Rivera ishte zakonisht esëll.
“Soldado ishte shumë i kujdesshëm për sigurinë e tij. Ai nuk largohej shpesh nga shtëpia. Ishte tepër i kujdesshëm”, tha një nga hetuesit.
Atë mbrëmje, megjithatë, dyshja me sa duket e la pas krahëve kujdesin, duke iu bashkuar grupit dhe duke konsumuar alkool për të festuar ditëlindjen e djalit të Riverës.
Grupi thuhet se luajti një lojë me të rrotulluar shishen, në të cilën secili lojtar do të rrotullonte një shishe për të përcaktuar se kush do të pinte pas kësaj.
Kjo mund të ketë qenë baza për raportet fillestare, por të pasakta, se Stanimiroviçi vdiq gjatë një loje ruletë ruse, në të cilën një lojtar vendos një plumb në një pistoletë me mulli, e rrotullon atë, vendos tytën në kokë dhe tërheq këmbëzën, duke shpresuar që në fole të mos qëllojë plumbi që është vendosur në pistoletë.
Një video e xhiruar me telefon në skenë tregon disa pjesëmarrës të dehur, duke u argëtuar me Stanimiroviçin, duke e quajtur atë “Ruso”, ose rusi.
Në një moment më vonë atë mbrëmje, pasi ishte konsumuar shumë alkool, midis Riverës dhe Stanimiroviçit shpërtheu një grindje.
Sipas hetuesve, djali i Riverës, Anderson Rivera Beltran, dha një deklaratë në polici duke thënë se ai ishte larguar nga dhoma për të shkuar në tualet dhe kur ishte kthyer dyshja po debatonte për një celular.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi grindjen, megjithëse disa besojnë se mund të ketë qenë diçka aq e parëndësishme, sa për shembull një mosmarrëveshje për muzikën që do të vendosnin.
Djali u përpoq t’i merrte mënjanë, thonë hetuesit, por Stanimiroviç nxori një pistoletë dhe e çoi Riverën dhe djalin e tij në një dhomë gjumi në pjesën e përparme të shtëpisë, duke qëlluar tri herë pasi mbërritën në dhomë dhe duke vrarë Riverën.
Sipas hetuesve, pati një grindje midis Stanimiroviçit dhe djalit të Riverës, por nuk ka pasur ende asnjë shpjegim zyrtar se si Stanimiroviçi përfundoi me një plumb në fytyrë.
“Serbi mori një peshqir dhe doli me vrap në rrugë”, tha hetuesi. “Në kohën kur mbërriti policia, ai kishte humbur shumë gjak dhe nuk mund të fliste.”
Lidhjet kriminale
Sipas një raporti të policisë, të shkruar në orët e para të datës 1 prill, Stanimiroviç u gjet, ende gjallë, pranë rrugës disa minuta pas mesnatës nga dy oficerë që iu përgjigjën raportimeve për të shtëna me armë në atë zonë. Ata e gjetën atë të shtrirë në anën e tij të majtë, të veshur me pantallona të shkurtra të errëta, një bluzë të kuqe dhe sandale, me një peshqir blu “të vendosur në qafë” për të ndalur gjakun që dilte nga një plagë në nofullën e sipërme.
“Ai u gjet i vetëdijshëm, por nuk fliste dot as edhe një fjalë”, tha raporti.
Policia ndoqi gjurmët e gjakut deri në në shtëpinë e Riverës, ku dy oficerë u qëlluan për vdekje.
Disa orë më vonë, në Spitalin Villavicencio, Stanimiroviçi u shpall i vdekur.
Stanimiroviç u raportua gjerësisht se ishte një anëtar i rangut të lartë të grupit ballkanas “Keka”, i kërkuar për akuza kokaine, thanë raportet, në Spanjë, Gjermani dhe Portugali. Megjithatë, autoritetet spanjolle i thanë BIRN se nuk kishin asnjë të dhënë për të. Autoritetet gjermane dhe portugeze nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN.
Në Kolumbi, ai ishte i panjohur për autoritetet. Hyrja e tij e mëparshme në vend nuk kishte ngjallur dyshime në kufi.
Megjithatë, policia thotë se rrethanat e vdekjes së tij tregojnë për kriminalitet dhe përfshirje të mundshme në trafik droge.
Sipas komandantit të policisë në Meta, kolonel Berdugos, hetimi zbuloi një lidhje midis Riverës dhe Klanit të Gjirit, pa dyshim një nga grupet më të fuqishme kriminale kolumbiane aktive sot. Kjo lidhje nuk është pranuar kurrë më parë nga autoritetet.
Lidhja e vetë Riverës me Stanimiroviçin, pra, mund të vërtetojë atë që është dyshuar prej kohësh – që janë krijuar lidhje midis karteleve ballkanase dhe Klanit të Gjirit, duke reflektuar praninë dhe fuqinë në rritje të grupeve ballkanase të drogës në Kolumbi.
“Disa grupe nga Ballkani Perëndimor, gjatë 20 viteve të fundit janë ngritur në zinxhirin e vlerës. Ata janë kthyer nga korrierë të vegjël në distributorë të mëdhenj droge në rrjete që shtrihen nga Amerika Latine në Europën Perëndimore dhe Afrikën e Jugut”, shkroi në një raport në korrik Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, GI – TOC.
Grupet kriminale ballkanase që vizitojnë Kolumbinë operojnë me kujdes, shkroi GI-TOC, duke udhëtuar pa kontrabandë ose sasi të dyshimta parash të thata, duke mbajtur një profil të ulët dhe rrallë duke qëndruar më shumë se një muaj. Ata shpesh udhëtojnë në grupe shumëkombëshe për të shmangur dyshimet dhe, kur është e nevojshme, përdorin dokumente identiteti false.
Sipas Felipe Tascon, një ekspert mbi ekonominë e kokainës në Kolumbi, i cili ka punuar me shtetin kolumbian dhe Bashkimin Europian për këtë çështje, mungesa e provave konkrete të veprimtarisë kriminale ballkanase në vend ka të ngjarë të tregojë vetëm se sa efikas dhe të disiplinuar kanë qenë kriminelët e Ballkanit, duke mbajtur një profil të ulët, si dhe numrin relativisht të ulët të vizitorëve ballkanas krahasuar me operativë të tjerë të huaj kriminelë.
“Ne kemi dëgjuar shumë për një ‘pushtim’ të trafikantëve meksikanë që janë aktivë këtu në Kolumbi, me sa duket, një numër më i madh sesa çdo grup europian. E megjithatë, gjatë punës time në terren afërs Tumaco-s, kurrë nuk kam takuar apo dëgjuar ndonjë meksikan duke folur”, tha Tascon.
“Prandaj nuk është e paarsyeshme të besosh se këtu mund të ketë edhe kombësi të tjera, në numra më të vegjël, pa u zbuluar.”
Në Ballkan kapet kokainë kolumbiane
Para vdekjes së Stanimiroviçit, një nga individët me rrënjë ballkanase që më parë raportohej të ishte përfshirë në trafik të niveleve të larta të drogës në Kolumbi duket se ka qenë Miro Niemeier Rizvanoviç, i njohur ndryshe si “Rusi”.
Një shtetas gjerman i lindur në Bosnjë, Rizvanoviç u arrestua nën akuzat për trafik droge në vitin 2016, por, sipas raporteve, u mor vesh me zyrtarët që ata ta lirojnë atë në arrest shtëpie.
Ky veprim dyshohet se e lejoi atë të vazhdonte operacionet e tij të trafikimit të drogës, të udhëtonte jashtë vendit me dokumente false ekuadoriane dhe të zhvillonte kontaktet e trafikimit në Spanjë dhe Itali.
Edhe pse në arrest shtëpie, Rizvanoviç u arrestua në Itali në vitin 2017 dhe u dërgua në Kolumbi.
Një vit më vonë, Rizvanoviç u qëllua për vdekje në makinën e tij teksa po largohej nga një festë në rajonin qendror të kultivimit të kafesë në Kolumbi. Asnjë shpjegim nuk u ofrua se si ai arriti t’i shmangej arrestit në shtëpi. Raportet e mediave lokale kanë spekuluar se ai u vra sepse u ofroi informacione mbi Klanin e Gjirit autoriteteve italiane.
Disa arrestime dhe konfiskime droge gjatë viteve të fundit sugjerojnë se midis Kolumbisë dhe Ballkanit po zhvillohet një trafik i madh.
Në vitin 2014, Mali i Zi arrestoi tre trafikantë ndërkombëtarë armësh të dyshuar se kishin komplotuar për t’i shitur armë të mëdha rebelëve FARC në Kolumbi, të përcaktuar më parë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Europian si “terroristë”.
Në vitin 2018, policia shqiptare njoftoi sekuestrimin rekord të 613 kg kokainë të pastër kolumbiane në një kontenier me banane që vinte nga Amerika Latine.
Në të njëjtin vit, pesë persona u arrestuan – një në Kolumbi dhe katër në Spanjë – pas zbulimit të më shumë se një ton kokainë në një avion privat që fluturonte midis dy vendeve.
Midis të arrestuarve në Spanjë ishin dy pasagjerë shqiptarë, duke përfshirë kreun e operacionit, Julián Deblini, dhe një bashkëpunëtor shqiptar të quajtur Dritan Gradica. Ndërkohë, Lelio Nevardo Ávila Santana u arrestua në Kolumbi për lidhjet e tij me grupin dhe mediat lokale që raportuan se ai punonte si pjesë e grupit të Deblinit, jo për një organizatë kriminale kolumbiane.
Pastaj, në shkurt të këtij viti, si pjesë e një operacioni policor ndërkombëtar, policia në Maqedoninë e Veriut konfiskoi një kilogram kokainë kolumbiane në një fshat afër kryeqytetit, duke e përshkruar atë si “vetëm një pjesë” të një ngarkese që kishte hyrë nga Shqipëria fqinje.
Familja mban shpresë se Stanimiroviçi është ende gjallë
Avokati Aleksandar Scekiç tha se familja e Stanimiroviçit në Serbi nuk ka ende konfirmim nëse ai ka vdekur apo është gjallë.
“Nuk ka ardhur asnjë lajmërim zyrtarisht. Ata kanë shpresë se ai është gjallë”, tha Scekiç, avokati i familjes, për BIRN.
“Ambasada serbe në Uashington po përpiqet të marrë informacione nga Kolumbia.”
Scekiç tha gjithashtu se policia serbe dhe Interpoli ishin të përfshirë në çështje. Ai kundërshtoi raportet se Stanimiroviçi ishte përfshirë në krim, duke thënë se ata ishin “të pasaktë” dhe se familja nuk e kishte idenë se çfarë donte ai në Kolumbi.
Raportimet shtesë u bënë nga Javier Ruiz Afanador nga Bogota dhe Ivana Nikolic nga Beogradi.