Marota ka marrë në dorë kontrollin e ”Interit”, ka riorganizuar shtyllën kurrizore të klubit dhe ka caktuar menjëherë një linjë drejtimi më të ashpër.
Vendimi për të vënë Naingolanin me shpatulla pas muri është pranuar edhe nga trajneri dhe drejtori sportiv, Auzilio gjatë drekës së dy ditëve më parë në “Appiano Gentile”.
Por, sinjalin për të marrë masën e dha Marota. Nëse është e vërtetë që vonesa e së dielës është vetëm maja e ajsbergut e një serie sjelljesh jashtë normave (mes vonesash në mbledhje teknike dhe seancash fizioterapeutike të ndërprera përpara kohe) është po aq e vërtetë që bëmat e “Ninxhës” ishin toleruar deri tani, me shpresën që herët a vonë paraqitjet në fushë të mbulonin problemet. Marota ka bërë një kthesë të plotë.
Të mbahet një qëndrim profesional: Është ky “urdhri” i parë i rregullores së Marotës; nuk ekzistojnë rrugë të dyta, sepse kështu forcohet koncepti i grupit. Dhe Naingolan u ndëshkua në respekt të shokëve të skuadrës. Ndryshimi është bërë, ndër të tjera, edhe nga pikëpamja komunikative.
Grushti i fortë i përdorur me Ikardin dhe Vanda Narën lidhur me temën e rinovimit është i së njëjtës peshe: Gjithçka që qëndron jashtë fokusit të ”Interit”, nuk duhet më të interesojë.
Mesazhi, indirekt deri në një pikë, ka shkuar deri te Spaleti, i cili verën e kaluar bëri gjithçka për të transferuar belgun në Milano, duke sakrifikuar edhe Zaniolon. “Zikaltrit u detyruan të thonë po”, ka treguar disa ditë më parë Igor, babai i mesfushorit të Romës. Kanë kaluar gjashtë muaj, duket si një jetë e tërë. Për më shumë nëse mjaftojnë vetëm dhjetë ditë për të ndryshuar skenar.