Negociatat mes grupit kinez Suning që ka pronësinë e Interit dhe BC Partners, nisën për shitjen e një pjese të vogël të aksioneve të klubit zikaltër, por duket se kompania britanike e investimeve do të bëhet aksionerja kryesore e milanezëve.
Prej pak ditësh mediat italiane raportojnë se po negociohet për shitjen e 70% të aksioneve, pasi qeveria kineze ka bllokuar investimet jashtë vendit në sport dhe grupi Suning po has vështirësi të shumta në menaxhimin e zikaltërve.
Sot për herë të parë, negociatat për shitjen e Interit te BC Partners, i ka pranuar edhe Administratori i zikaltërve, Giuseppe Marotta, në një intervistë për mediat italiane, para ndeshjes me Fiorentinën në Kupën e Italisë.
“Pronari po vlerëson mundësitë më të mira të Interit, duke marrë në konsideratë stemën e klubit, përveçse të tashmen dhe të ardhmen. Ne drejtuesit e skuadrës, të përfaqësuar nga unë, e dimë që punon në një kontekst shumë të fortë dhe mund të bazohemi në një zonë teknike shumë kompakte. Zërat që qarkullojnë, janë mbi kokën tonë dhe nuk mund të na kushtëzojnë”, u shpreh Marotta.