Paulo Dybala u largua nga stoli drejt dhomave të zhveshjes duke mos pritur që të mbarojë ndeshja mes Juventusit dhe Parmës. Fakt që ka irrituar drejtuesit bardhezi.
Sulmuesi argjentinas në mënyrë demonstrative braktisi stolin e skuadrës në ndeshjen kundër Parmës, menjëherë pasi kuptoi se trajneri Allegri nuk do ta aktivizonte.
Ky veprim nuk është pëlqyer nga ana e drejtuesve bardhezi, të cilët, sa u përket rregullave, tregohen striktë, por për këtë rast ata kanë bërë një përjashtim dhe kanë vendosur që ndaj Dybalas të mos ndërmerren masa administrative.
Plani Marotta
Në Torino, Dybala erdhi falë Beppe Marotta, i cili pati besim të verbër te djaloshi që po shkëlqente me Palermon dhe i vuri në pjatë 32 milionë euro, +8 të tjera në formën e bonuseve për ta marrë nga Sicilia.
Një operacion i guximshëm, por që rezultoi i suksesshëm. Tani, sulmuesi nuk dihet mirë në Torino, më shumë ndeshje po i kalon si zëvendësues dhe në këtë moshë që është tani, lojtari është i uritur për minuta në fushë.
Për këtë në fund të sezoni lojtari do kërkojë të largohet nga Juventus, për një klub tjetër që mund t’i sigurojë fanellën e titullarit në çdo ndeshje.
Juventus nuk e konsideron largimin e tij për më pak se 130 milionë euro, shumë tepër e lartë për Interin që të hyjë në këtë tratativë. Megjithatë, Marotta do të shfrytëzojë në maksimum njohjen që ka me lojtarin dhe vullneti i tij për t’u larguar do të jetë përcaktues edhe në vlerën e kartonit të tij.
Shtysa Icardi
Një shtysë tjetër është edhe kapiteni Mauro Icardi. Në ditët në vijim pritet që Wanda Nara, agjentja e tij të takohet me drejtuesit e Interit dhe të firmosin marrëveshjen e re. Icardi dhe Dybala njihen me njëri-tjetrin, madje ka edhe shoqëri mes tyre në kohën që kanë kaluar së bashku tek Argjentina.
Moratta ka një plan të madh, Icardi-Dybala në sulm, një dyshe ideale për sulmin zikaltër, tratativa dihet se është shumë e vështirë, por drejtori do provojë të gjitha shanset deri në verë.