Deputetët e Britanisë së Madhe e kanë refuzuar përsëri marrëveshjen e kryeministres May për largim të këtij shteti nga Bashkimi Evropian, pavarësisht premtimit të saj se ajo do të japë dorëheqje në rast se marrëveshja dështon. Marrëveshjen e përkrahën 286 deputetë, ndërsa e kundërshtuan 344 të tjerë, raporton The Guardian.
Dështimi i kalimit të marrëveshjes ndodhi pasi laburistët nuk treguan vullnet për ta ndryshuar qëndrimin e tyre dhe për shkak të mungesës së përkrahjes nga dhjetë deputetët e Unionit Demokratik.
May kishte kërkuar vazhdimisht mbështetje të marrëveshjes së saj nga deputetët e Partisë Laburiste, duke thënë se ajo ishte rruga e vetme për ta garantuar Brexit-in dhe shmangien e “skajit të shkëmbit” pas dy javësh.
“Kur kambana e ndarjes të bie pas pak çastesh, secili nga ne duhet të shikojë në zemër për të vendosur për atë që është e duhur për vendin tonë”, tha ajo para deputetëve.
Në anën tjetër, udhëheqësi i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, e akuzoi kryeministren May për paraqitjen e një marrëveshjeje gjysmë të pjekur, të cilën laburistët nuk mund ta mbështesin.
Procesi i votimit u mbajt pikërisht në ditën që më parë ishte e planifikuar për largim të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian