Marrëveshja e firmosur, të enjten, nga kryeministri Edi Rama, me BERZH edhe pse online, do t’i mundësojë vendit tonë grante për të nxitur investimet në turizëm, sektori më i prekur nga tërmeti dhe pandemia e Covid-19.
“Është një hap i rëndësishëm ky memorandum që po firmosim sot, duke kombinuar interesat tona drejt BE dhe investimet në terren. Ky program është mjaft i mirëpritur sepse përfshin një paketë të plotë të riparimeve të zonave të trashëgimisë.
Siç kemi rënë dakord më parë, Shkodra, Vlora, Korça, Fier, Berat. Ka një angazhim të jashtëzakonshëm nga BE dhe komisioni për të na ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin mbështetur në vizionin e një tregu të përbashkët rajonal”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë u ndal edhe tek projektet madhore në Shqipëri. Rama u shpreh se shpreson që hekurudha Tiranë-Durrës të jetë pjesë e një rrjeti rajonal hekurudhor.
“Ka tashmë një angazhim të jashtëzakonshëm nga BE-ja dhe KE-ja për ta ndihmuar Shqipërinë dhe rajonin mbështetur në vizionin e një tregu të vetëm rajonal dhe në dritën e zbatimit të 4 lirive të Europës, për të investuar në vëllime të tilla që mund ta ndryshojnë tërësisht peizazhin. Shpresoj që kjo hekurudhë Tiranë Durrës të jetë pjesë e diçkaje që do të bëhet rrjet rajonal hekurudhor. Sa i takon aspektit digjital, mendoj se duhet që të bëjmë të gjithë sëbashku ç’të mundemi për ta nxitur, për të pasur një shtyllë kryesore digjitale”, tha Rama.
Nga ana e tij, ambasadori i BE, Luiggi Soreca njoftoi se falë kësaj marrëveshje, do të lëvrohet një grant prej 40 milionë euro nga BE.
“Jam i lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, që më në fund, shkyç një grant 40 milionë euro nga BE për programin e zhvillimit të turizmit, një prej sektorëve që u prek më ashpër nga Covid-19. Ndaj duhet të përshpejtohet puna për të kapur çdo vonesë dhe goditje të këtij sektori. Është koha që t’i futemi punës. Jemi këtu për t’ju ndihmuar, por presim vërtetë që të ecim shpejt përpara”, tha ambasadori i BE.