Aktualitet Ngujohen naftëtarët, refuzojnë edhe ujin

Ngujohen naftëtarët, refuzojnë edhe ujin

Pas 10 ditësh grevë urie naftëtarët e uzinës së naftës në Ballsh janë ngujuar në ambientet e brendshme të rafinerisë. Sot ata kanë refuzuar të pinë edhe ujë, ndërsa kanë ndërprerë të gjitha kontaktet me kolegët e tyre dhe familjarët.

Grevistët i kanë vënë kyçin portës së uzinës duke mos lejuar askënd që të futet dhe janë mbyllur brenda. Pas këtij vendimi aty ka shkuar edhe një ambulancë për ndonjë rast emergjent, por naftëtarët kanë refuzuar ndihmën mjekësore.

Sipas tyre kjo është e vetmja mënyrë që të gjendet një zgjidhje për problemin e tyre dhe të ketë reagim qoftë nga kompania apo edhe nga institucionet qendrore. Naftëtarët e Ballshit kërkojnë pagat e 27 muajve që ende nuk i kanë marrë ndërsa nuk ka asnjë reagim për kërkesën e tyre.