Marsida Qatja, në banesën e të cilës u vra ish i dashuri Dritan Haxholli dhe u plagos shoku i saj polic Bledar Toci, thotë se ky i fundit duhet të ngrihet në detyrë.
Nga Kavaja, duke folur për gazetarët, ajo tha se Bledar Toci duhet të vlerësohet për atë që bëri, pasi i shpëtoi jetën asaj dhe djalit të vogël.
“Më kapte jo për flokësh, jo hajde këtu se do dalim të pimë një kafe. Në qoftë se atij nuk i kishte ngec arma, ne do kishim vdekur që të gjithë”, tha Marsida.
Në fjalën e saj ajo u shpreh se nuk ka asnjë arsye pse të ndjehet e paragjykuar dhe i vetmi hall që kishte ishte si t’ia shpjegonte bashkëshortit.
“Nuk ndjehem e paragjykuar se tre ditë do të zgjas. Gjithë se cili të shikojë si i kanë në shtëpitë e veta dhe më të bukura se mua. S’kam folur me burrin dhe nuk di sesi do t’ia shpjegojë. Këtë pjesë e vuaj shumë. Pjesën e burrit”, ka thënë Qatja nga dritarja e shtëpisë.
Duke iu rikthyer ngjarjes, Marsida tha: “Di të them ai vetë e kërkoi, as nuk i bëmë plan, erdhi vetë me armë siç vinte çdo natë. Gjuajti vetë i pari. Ndërsa pjesën e Bledarit, jo se është shoku im, por mendoj që ai duhet të ngrihet në detyrë sa më lart. Sepse bëri diçka se ne do të kishim vdekur të gjithë. Dritani ka drejtuar armën tek fëmija im, që sapo po i gjuante i ngeci dhe arma. I gjuajti Bledarit. Kur donte me vra fëmijën tim, Bledari pastaj kërkoi vetëmbrojtje normal. Bledarit kur i kërkova ndihmë i thashë vjen çdo natë. Marsida tha do vij unë. Me kë je në shtëpi? Vetëm me çunin e vogël. Ok tha, thirr dhe njeri tjetër mos rrish vetëm në shtëpi. I thashë kam Xhuljon, që Xhuljo rrinte shpesh me mua. Dritani i ra dritares ku ishim ulur, do ju vras. I thashë hajde qetësohu, hyr brenda të flasim si njerëz. Hapi derën dhe qenke ti Bledar Toci tha. Edhe i gjuajti direkt. Bledarit i tha ule armën në tavolinë. S’kam armë i tha Bledari, kam ardhur për të sqaruar si njeri. U kthye tek çuni im për të gjuajtur çunin, Bledari normalisht do kthehej prapë”.
Dritan Haxhollin kishte shkuar me kallashnikov në banesën e 30-vjeçares. Aty u përball me mikun e saj Bledar Tocin, shef i sigurisë së brendshme të burgut të Durrësit. Në banesë ndodheshin edhe dy fqinjë të 30-vjeçares, të cilët i kishte thërritur ajo. Dritan Haxholli ishte i pari që qëlloi me armë, por mbeti i vdekur nga reagimi i Bledar Tocit. Kurse ky i fundit mbeti i plagosur.
Shefi i sigurisë së brendshme të burgut është arrestuar tashmë nga policia për akuzën e vrasjes me dashje. Marsida Qatja, nënë e tre fëmijëve, në momentin e ngjarjes ka qenë në banesë edhe me djalin 2 vjeç. Dy fëmijë i ka nga martesa e parë, kurse aktualisht është e martuar me një burrë tjetër, i cili vuan dënimin me burg në Gjermani për drogë.