Teksa bisedonte me studentët e universitetit në qytetin e Yogyakarta, Indonezi, studiuesja Nancy Smith-Hefner vuri re një trend të ri: Në një vend me martesë tradicionale, vajzat e reja thoshin se dëshironin të përfundonin arsimin e lartë e më pas të fillonin të përmbushin karrierën e tyre, përpara se të martoheshin. Smith-Hefner hasi disa probleme me të cilat ballafaqohen ata që po ndjekin atë rrugë. Gratë e reja po përpiqeshin të përshtateshin aq shumë në një dritare të vogël mundësie që ndonjëherë dukej e pamundur.
Por a janë vetëm të rejat e këtij vendi që mendojnë kështu? Studiuesja thotë jo. Në fakt, të rinjtë e Yogyakarta po përjetojnë një dukuri që po ndihet në të gjithë globin, nga Bruklini në Paris, Ruanda në Japoni. Dhe kjo mund të çojë në një ndryshim thelbësor në mënyrën se si mendojmë për dashurinë dhe partneritetin.
Smith-Hefner, një profesoreshë e antropologjisë në Universitetin e Bostonit, ka studiuar për vite me radhë shoqëritë aziatike, por kur nisi ky fenomen, ajo filloi të shohë paralele të qarta ndërmjet të rejave indoneziane të cilat ishin subjekt i hulumtimit të saj dhe studenteve amerikane.
Një trend në rritje
Marcia Inhorn, një profesoreshë e antropologjisë dhe e çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Yale, duke folur mbi temat se kur të rinjtë duhet të largohen nga shtëpia e prindërve, ose pronësia e shtëpisë, thotë: “Një nga trendet globale që u pa në të shumtën e dokumenteve ishte vonesa në martesë, veçanërisht në mesin e klasave më të arsimuara të njerëzve, dhe veçanërisht për gratë”. Trendi shfaqet në vende të ndryshme nga Jordania, Kina, SHBA, Ruanda dhe Guatemala dhe lista vazhdoi..
Diane Singerman, profesoreshë e asociuar në Universitetin Amerikan të Uashingtonit, shpiku termin “waithood” në vitin 2008, pas studimit të të rinjve në Lindjen e Mesme. Në konceptimin e saj, termi lidhet me të dyja gjinitë dhe është një rrënjë ekonomike. Në shumë vende, siç është Egjipti, martesa është shumë e shtrenjtë për t’u menaxhuar nga të rinjtë, ndërsa ideja e të pasurit fëmijët jashtë bashkimit formal nuk është ende e pranueshme nga shoqëria.
Kjo lloj pritje mund t’i ‘godasë’ fort meshkujt e rinj: Shkalla e lartë e papunësisë dhe pagat e ulëta kombinohen sëbashku dhe i mbajnë meshkujt larg angazhimeve dhe krijimit të familjes. Edhe në vendet ku jetesa nuk është e shtrenjtë, normat e lindshmërisë po bien: Marcia Inhorn, një profesoreshë në Universitetin Yale, përmend Greqinë, Spanjën dhe Francën se si po përballen me problemet e lindshmërisë që lidhen me moshën, pjesërisht për shkak se të rinjtë nuk mund të përballojnë angazhimet e moshës së rritur, të tipit vendi për të jetuar.
“Pse njerëzit po heqin dorë nga martesa, pse koha për t’u martuar po bëhet gjithnjë e më e gjatë në mbarë botën dhe pse ekzistojnë vonesat në lindjen e fëmijëve? Për vende të ndryshme ka arsye të ndryshme, megjithatë është kthyer në një trend global”, thotë Inhorn. “Sidomos tani që gratë po rriten në mënyrë edukative në mbarë botën, shpesh duke tejkaluar arritjet e meshkujve”.
Por nuk është vetëm edukimi universitar që po i bën gratë të presin.
Një studim i kohëve të fundit në disa vende nga Afrika Sub-Sahariane zbuloi se edhe kur femrat nuk kishin marrë shumë arsimim formal, ato kishin gjasa të vononin martesën nëse gratë e arsimuara rreth tyre po e bënin këtë. Shumë prej tyre nuk po presin moshën 30-vjeçare; por ato po dalin kundër modelit tradicional të martesës në adoleshencë, duke dashur që në vend të kësaj të fitojnë një përvojë jetësore së pari.
Shumica e femrave, pavarësisht sa të arrira janë në karrierë, kërkojnë që partneri i jetës të ketë të ardhura më shumë ose të barabarta me to. Kjo nuk është domosdoshmërisht e drejtë, por është thellësisht e rrënjosur, e lidhur me idetë tradicionale të maskulinitetit.
Janë disa faktorët që kanë bërë që femrat e arsimuara dhe ambicioze po e gjejnë veten të paaftë për të gjetur bashkëshortin që duan. Nuk është për shkak të mungesës së përpjekjes. Llojet e burrave, të cilët janë të gatshëm për të nisur jetën familjare, për t’u angazhuar, me nivele të larta arsimi dhe ambicie, nuk janë aq të shumtë në numër.
Megjithatë nëse jo martesë, shumica e njerëzve duan të paktën “një partneritet shumë të sigurt të përkushtuar dhe monogam” para se të sjellin fëmijë në botë – thotë Inhorn. “Derisa kjo ide të ndryshojë, kjo çështje do të jetë një problem global”.