Aktualitet Martinaj në kërkim dhe i zhdukur për familjarët. Kur e transportoi me...

Martinaj në kërkim dhe i zhdukur për familjarët. Kur e transportoi me makinë polici i Operacionales

Policia e Lezhës ka arrestuar ditën e sotme agjentin e Forcave të Posaçme Operacionale, 28-vjeçarin Jeton Lami, pasi akuzohet se i ka ofruar ndihmë dhe ka transportuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur dhe pa asnjë kontakt me familjen e tij.

Efektivi Lami dyshohet se e ka transportuar Martinajn nga Lezha në Laç, Shkodër apo në Vlorë gjatë kohës që ai ka qenë në kërkim, pas zhvillimit të operacionit “Plumbi i artë”.

Përveç Lamit, ka dyshime që Martinaj është ndihmuar edhe nga punonjës të Komisariatit të Fushë-Krujës.

Ervis Martinaj është një personazh në kërkim nga SPAK, pasi sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani kishte urdhëruar vrasjen e Endrit Dokles, atentat që nuk u realizua. Alarmin për zhdukjen e tij e dha xhaxhai, i cili më 10 gusht bëri denoncim në polici se familja ishte humbur kontaktet me Martinajn.

Prokuroria dhe policia po vijojnë kërkimet dhe hetimet për këtë denoncim, nëse është një plan i thurur nga Martinaj, i cili është në kërkim, apo nëse bëhet fjalë për një kallëzim të vërtetë.