Ekonomi Tatimet hartojnë listën e 100 njerëzve më të pasur në Shqipëri: Për...

Tatimet hartojnë listën e 100 njerëzve më të pasur në Shqipëri: Për çfarë do kontrollohen

Tatimet kanë përfunduar listën me 100 më të pasurit në Shqipëri.

Analiza ka përfunduar disa javë më parë nga Drejtoria e Kontrollit të Specializuar, njësi e cila është ngritur posaçërisht për të mbikëqyrur deklaratat tatimore të individëve dhe pagesën e taksave nga të ardhurat që marrin.

Në llogaritjen e njerëzve më të pasur janë marrë në konsideratë paga dhe shpërblimet nga puna, të ardhurat nga dividenti, që janë fitimet që ndajnë kompanitë për aksionerët dhe kursimet bankare, të ardhurat nga pasuritë e patundshme, fitimet në bursa apo burime të tjera.

Në planin e tatimeve është zgjerimi i listës me individët më të pasur në 200 deri në fund të këtij viti dhe deri në 300 në fund të vitit që vjen.

Njësia ka grumbulluar të dhëna nga policia, agjencitë e inteligjencës, bankat dhe autoritete dytësore që përdoren për të kryer pagesa.

Fillimisht tatimet do të kontrollojnë 100 më të pasurit nëse kanë bërë të plotë pagesën e detyrimeve tatimore.

Njësia antinformalitet nisi punën në shkurt të vitit të shkuar, ndërsa Taks Forca e krijuar me urdhër të kryeministrit nisi kontrollet për deklarimin e të ardhurave të individëve në maj të këtij viti.

Kontrollet tashmë janë përqendruar në deklarimin e saktë të pagave në sektorin e ndërtimit, tregtisë, kompanive të sigurimit dhe medias./Euronews Albania