Aktualitet Masa të tjera për festat e fundvitit? Rakacolli: Nuk përjashtohen

Masa të tjera për festat e fundvitit? Rakacolli: Nuk përjashtohen

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, njëherësh dhe anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli nuk ka përjashtuar masa të tjera kufizuese gjatë festave të fundvitit.

Në një deklaratë për mediat, Rakacolli tha se asgjë nuk përjashtohet, duke shtuar se nëse do rriten numrat e të infektuarve dhe të shtruarve në spital do merren masa kufizuese.

“Ne jemi disa javë larg Krishtlindjeve dhe shohim që situata po vijon e njëjtë. Nëse do ndryshojmë për më mirë, nëse qytetarët bashkëpunojnë me autoritetet këto masa do ndryshojnë për mirë. Nëse ato do ndryshojnë për keq atëherë do të qëndrojnë në fuqi, por dhe mund të ketë masa të tjera”, u shpreh Rakacolli.

Më tej anëtarët e Komitetit të Ekspertëve u shprehën se qytetarët duhet të vijojnë të respektojnë masat pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përfundojë pandemia. Po ashtu ata kërkuan që këtë vit festat të bëhen ndryshe dhe të gjithë të festojnë në familjen e vogël.

“Nuk kemi sugjeruar mbylljen e Shqipërisë në fundjavë”

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka mohuar të ketë propozuar pranë qeverisë një plan për mbylljen e Shqipërisë gjatë fundjavë.

Anëtarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli u shpreh se deri tani ky skenar nuk është diskutuar asnjëherë. “Komiteti i Ekspertëve nuk e ka shtuar asnjëherë këtë lloj alternative”, tha Rakacolli.

Më tej teksa u pyet se një masë e tillë a mund të merrej në ditët në vijim, zëvendës ministrja tha se gjithçka do varet nga situata.

“Në vendimin nuk është përmendur kjo, por nëse do ketë rëndime të situatës në ditët në vijim mund të jetë kjo masë dhe masa të tjera. Por kjo masë nuk është diskutuar asnjëherë deri tani dhe nuk është e arsyetuar me këtë situatë që jemi”, shtoi ajo.