Bota Masakra në Australi, kryeministri Albanese e quan “heroinë” policen që qëlloi për...

Masakra në Australi, kryeministri Albanese e quan “heroinë” policen që qëlloi për vdekje autorin

Sulme të tilla masive janë të rralla në Australi dhe ngjarja në Bondi Junction ka tronditur mbarë vendin

Oficerja e policisë australiane u konsiderua heroinë nga kryeministri Anthony Albanese, pasi ajo u përball dhe qëlloi për vdekje autorin e masakrës të ndodhur në një qendër tregtare në Sidney. “Nuk ka dyshime që ajo shpëtoi jetë”, tha kryeministri australian Anthony Albanese, teksa e cilësoi sulmin e së shtunës “një akt të tmerrshëm dhune”.

Nga ngjarja e rëndë mbetën të vrarë me thikë 6 persona, ndërsa 8 të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë 9 muajsh.

Policia tha se oficerja, emri i së cilës nuk është bërë publik, e gjurmoi me trimëri autorin nëpër qendër, u përball me të e më pas e qëlloi për vdekje në momentin që ai ngriti thikën në drejtim të saj.

“Teksa oficerja iu vu nga pas me shpejtësi, në momentin që e arriti, ai iu kthye dhe ngriti thikën. Në këtë moment ajo qëlloi me armë dhe autori vdiq”, tha policia australiane.

Ky moment u komentua edhe nga një prej dëshmitarëve në vendin e ngjarjes.

“Nuk kishim asnjë dyshim, që nëse nuk do e kishte qëlluar, ai do të vijonte me masakrën… Ajo i tha ta hidhte armën në tokë dhe më pas e qëlloi. Më pas shkoi t’i jepte ndihmën e parë. Ai kishte një thikë të madhe në dorë, oficerja e largoi”, rrëfeu dëshmitari.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është një 40-vjeçar i njohur për policinë, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Sipas autoriteteve australiane ngjarja tronditëse nuk ka lidhje me terrorizmin dhe autori veproi i vetëm. Shkaqet momentalisht mbeten të paqarta.

Sa i përket të plagosurve ata ndodhen në spital. Foshnja 9 muajshe, sipas BBC, i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa nëna e saj besohet të jetë mes viktimave. Policia konfirmoi se 5 prej viktimave ishin gra.

Sa i përket oficeres “heroinë”, ajo mësohet po bënte punë rutinë kur dëgjoi raportimet për çfarë po ndodhet. Ajo ishte e para që shkoi në vendin e ngjarjes dhe i drejtoi me shpejtësi qytetarët për në katin e pestë të ndërtesës. Kryeministri Albanese tha se veprimi i oficeres, është një “kujtesë se ata që mbajnë veshur uniformën janë personat që shkojnë drejt rrezikut dhe nuk i ikin atij”.

Drejtuesja e policisë së shtetit, Karen Webb po ashtu vlerësoi kurajon e madhe të polices dhe tha se duke marrë parasysh rrethanat, ajo ishte në gjendje të mirë.