Qeveria do të rrisë masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vendin tonë. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së qeverisë.
Ai theksoi se do të mbyllen pub-et, diskot, palestrat dhe mjediset ku grumbullohen njerëzit në mënyrë që të sigurohet shëndeti i popullatës. Më tej, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, lajmëroi nga mbledhja e qeverisë masat e reja për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Bëhet fjalë për rregulla që nisin që nga baret dhe restorantet, shërbimet që duhet të ofrojnë institucionet e deri tek ndalimet e aktiviteve sportive, sociale dhe ato kulturore.
Rregullat e reja:
-Mbyllja për publikun deri në 3 Prill të gjitha ambientet që ofrojnë shërbime si disko, lokale nate.
-Mbyllja deri në 3 prill të ambienteve për argëtimin e të rinjve si qendra sociale, palestra, pishina
-Kufizim i kontakteve në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike. Për qendrat sociale që ofrojnë shërbime si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar, fëmijët pa përkrahje prindërore), do të shmanget kontakti me persona jashtë strukturës ku ata banojnë.
-Restorantet, baret të ofrojnë shërbime për qytetarët duke respektuar distancën prej së paku 2 m nga tavolinat dhe së paku 1 metër qytetarët nga njëri tjetri. Nëse nuk zbatohen do të vendosen dhe orare ditore.
-Institucionet publike duhet të hartojnë një plan masash për ofrimin e shërbimeve dhe duhet të shfrytëzohen platformat e tyre online apo e-albania për ofrimin e shërbimeve publike.
-Për shërbimet që duhet kontakt direkt, institucionet duhet te pajisin personelin me masa mbrojtëse për mbrojtjen e tyre.
-Organet e shërbimit postar duhet të garantojnë vazhdimësinë e shërbimit dhe të hartojnë një plan masash për shmangien e kontaktet të personelit me publikun.
-Të gjithë pensionistë do t’u dërgohet pensioni në shtëpi me kosto zero duke u mbështetur këtu nga ministria e Financave dhe Ekonomisë.
-Punëdhënësit privatë të marrin masa për parandalimin e përhapjes e virusit. Kontakti i tyre me publikun të shmanget nëse shërbimi mund të ofrohet online.
-Ndalohen aktivitete sportive, sociale dhe ato kulturore.
-Grumbullimi masiv i personave në ambiente publike, është i ndaluar, dhe në çdo rast distanca nga njeri tek njeriu nuk duhet të jetë më e vogël se një metër.
-Detyrohen të gjithë personat që kanë hyrë në Shqipëri nga zona me risk epidemiologjik, ta deklarojnë këtë rrethane tek institucioni përgjegjës që është ISHP, nëse ata nuk e kanë plotësuar skedën kur kanë hyrë në vendin tonë. Duhet ta plotësojnë këtë skedë me detyrim.
-Do të pezullohet përkohësisht të gjithë proceset dhe procedurat për konkurset publike të punësimit.
“Ftohen të gjithë qytetarët, subjektet private të zbatojnë masat e mësipërme, të përshtasin rutinën më këto masa për të mos vënë në rrezik vetën dhe të tjerët deri në përfundim të kësaj periudhe që shpresojmë të mos zgjasë shumë”, tha ministrja