Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) publikoi në fundjavë pamjet satelitore nga zona e Evropës ku tregohet qartë reduktimi i nivelit të dioksidit të azotit në muajin e fundit.
Nga pamjet satelitore duket qartë reduktimi i ndotjes në veriun e Italisë, një nga zonat më industriale të BE-së. Po kështu shihet edhe zhdukja e njollës së ndotjes në Shqipëri dhe Kosovë.
Claus Zehner, drejtues i një prej projekteve të ESA-s pohoi se: “Edhe pse mund të kenë pasur ndikim edhe kushtet klimaterike, jemi tejet të bindur se reduktimi i ndotjes ka ardhur si pasojë e masave kundër koronavirusit”.
Dioksidi i azotit (NO2) është ndër ndotësit më të rëndë të ajrit, çlirohet kryesisht nga diegia e karburanteve.
Industria dhe qarkullimi i makinave janë ndotësit kryesor. Thithja për një kohë të gjatë e këtij gazi shkakton ndërlikime dhe reduktim të frymëmarrjes, rritje të mundësisë për sëmundje të mushkërive dhe alergjive.
Njësoj dioksidi i azotit ndikon edhe te bimësia, ku kryesisht si efekt anësor u redukton rritjen dhe dëmton gjethet.