Gripi, i cili çdo vit shkakton vdekjen e qindra mijëra njerëzve në të gjithë botën, pothuajse u zhduk në Evropë muajin e kaluar. Bllokimet e qyteteve për të frenuar koronavirusin e ngadalësuan transmetimin e gripit, sipas të dhënave të BE-së dhe shkencëtarëve.
Përhapja e gripit dimëror në hemisferën e veriut normalisht vijon nga tetori deri në mes të majit dhe ka patur vite kur numri i të vdekurve ka qenë i krahasueshëm me atë të koronavirusit, pavarësisht ekzistencës së një vaksine.
Gjatë dimrit të viteve 2017-18, gripi shkaktoi 152,000 vdekje në Evropë. Deri tani, COVID-19 ka marrë gati 100,000 jetë njerëzish në këtë kontinent, megjithëse në një periudhë më të shkurtër kohe.
“Sezoni i gripit përfundoi më herët se zakonisht këtë vit dhe kjo ndoshta për shkak të masave të marra për frenimin e koronavirusin si distancimi fizik apo përdorimi i maskave”, tha Holger Rabenau, virolog në Spitalin Universitar të Frankfurtit për agjencinë Reuters.
Edhe pse ky është një lajm i mirë, mungesa e rasteve me grip mund ta ngadalësojë përparimin drejt prodhimit të një vaksine për gripin e sezonit të ardhshëm.
Laboratorët janë të mbingarkuar me COVID-19 dhe kanë në dispozicion më pak mostra gripi, që do të thotë se “nuk do të kenë tablonë e plotë të virusit që qarkullon në pjesën e fundit të sezonit,” thotë Pasi Penttinen, ekspert i lartë i gripit në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Vendimet për përbërjen e vaksinave merren herët sepse duhen disa muaj për të prodhuar miliona dozat e nevojshme, tha Penttinen.
Të dhënat për vdekjet që lidhen me gripin nuk janë ende gati, por vlerësimet e hershme flasin për vdekshmëri shumë më të ulët këtë vit. Vetëm 4,000 pacientë me grip patën nevojë për kujdes intensiv këtë sezon, sipas të dhënave nga 11 vende evropiane.
Edhe pa ardhjen e koronavirusit, ky sezon gripi ka qenë relativisht i butë./VOA