Ekonomi Rënie rekord e çmimit të naftës

Rënie rekord e çmimit të naftës

Çmimet e naftës së papërpunuar në SHBA ranë në nivelin më të ulët në histori, për shkak të rënies së kërkesës si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Nafta e papërpunuar e llojit West Texas Intermediate (WTI) për livrim në muajin maj ra në nivelin më të ulët në histori, duke kaluan në shifra negative, -37.63 dollarë për fuçi.

Në fillim të vitit 2020, një fuçi naftë WTI kushtonte rreth 60 dollarë.

Kontratat për muajin maj të këtij lloji që skadojnë të martën u goditën më së shumti, pasi kanë të bëjnë me karburantin që do të livrohet në një kohë kur pjesa më e madhe e vendit është e mbyllur për shkak të koronavirusit.

Llojet e tjera të naftës së papërpunuar nuk patën rënie në këto nivele.

Nga rafineritë dhe rezervuarët amerikanë të naftës ka pak kërkesë dhe cisternat e ruajtjes janë mbushur në kapacitetin e tyre të plotë.

Disa analistë thonë se çmimet do të vazhdojnë të jenë nën presion.

Pandemia e koronavirusit i ka dhënë një goditje të fortë aktivitetit ekonomik në mbarë botën dhe ka ulur ndjeshëm kërkesën për naftë. Në fillim të këtij muaji OPEC-u dhe aleatët e tij prodhues të naftës arritën një marrëveshje historike për të ulur prodhimin me 9.7 milion fuçi në ditë duke filluar nga 1 maji. Por shumë analistë thonë se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme.

Me rënien jashtëzakonisht të shpejtë të kërkesës botërore, vendet dhe kompanitë prodhuese e kanë të pamundur të përballojnë ritmin e shkurtimit të prodhimit.

Kjo po krijon sasi gjigande nafte që nuk tregtohet, duke sjellë shqetësime se blerësit do ta kenë fizikisht të pamundur ta ruajnë atë nëpër cisterna.