Policia ka reaguar përmes një njoftimi sa i takon operacionit “Damage 2” në kuadër të të cilit janë lëshuar 12 urdhërarreste. Këta persona i kanë shkaktuar 2 mln euro dëm buxhetit të shtetit duke mashtruar me shërbimet e konsulencës.
Policia bën me dije se 3 shqiptarët janë vënë në pranga, ndërsa 9 italianët janë në kërkim.
Skema
Rezulton se këta persona kanë në mundur të organizojnë një strukturë të mirëfilltë kriminale me qëllim të vetëm përfitimin me anë të shmangies së detyrimeve tatimore, duke kryer aktivitet në fushën e shërbimeve të konsulencave.
Faturimi i dyshuar fiktiv i këtyre konsulencave është kryer nga subjekte ‘Persona Fizik’ në subjekte SH.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara), ku më pas këto të fundit (subjekte SH.P.K) këto shërbime i kanë eksportuar (shitur) në shtetin Italian. Duke rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, është bërë e mundur barazimi i tyre me të ardhurat dhe në këtë mënyrë vlera e detyrimit të tatim fitimit për tu paguar del më e ulët, duke shmangur kështu detyrimin real që lind nga tatim fitimi.
Nga ky aktivitet kriminal, nëpërmjet subjekteve fiktive, kanë mundur të përfitojnë nga rritja fiktive e shpenzimeve, deri në këtë fazë të hetimeve, një vlerë të llogaritur prej 471,778,384 lekë, duke i shkaktuar kështu një dëm monetar dhe financiar shtetit Shqiptar në vlerën rreth 2 milion Euro.
Dyshohet se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të administratës shtetrore, për të cilat vazhdojnë hetimet dhe veprimet proceduriale për të dokumentuar të gjithë veprimtarin kriminale.
Ky aktivitet kriminal dyshohet që shtrihet edhe në shtetin italian, aty ku edhe operojnë përfituesit kryesorë, të cilët janë subjekte që përfitojnë të gjithë vlerën e shërbimeve të dyshuara fiktive të konsulencës, e cila përllogaritet mbi 6 milion Euro. Po punohet që hetimet të shtrihen edhe në shtetin Italian.
Njoftimi i policisë:
“Operacioni, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Finaciare në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkepunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor. Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 3 shtetas, shpallen në kërkim 9 shtetas të tjerë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, në kuadër të procedimit penal 2084/2023, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasit:
– B. H., 43 vjeç, banues në Tiranë, E. D., 31 vjeç, E. D., 37 vjeç, të tre banues në Tiranë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit: D. M., 67 vjeçe, T. M., 41 vjeç, D. D., 39 vjeç, F. P., R. R., 56 vjeçe, U. M., 64 vjeç, G. R., S. D., 34 vjeç dhe A. P., 51 vjeç, të gjithë banues në Itali.
Këta shtetas dyshohen se përmes mashtrimit, kanë krijuar dhe menaxhuar subjekte tregtare fiktive, nëpërmjet të cilave kanë qarkulluar vlera të konsiderueshme parash, të padeklaruara në organet tatimore, duke i shkaktuar kështu shtetit shqiptar, një dëm financiar prej 2 milionë eurosh”, thotë policia.