Vijojnë të vijnë denoncime në polici për 64-vjeçaren Violeta Petro, e cila dy ditë më parë u prangos nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se ka mashtruar biznesmenë duke u premtuar projekte të mëdha ndërtimi të financuara nga një organizatë e huaj, UNICEF.
Burime pranë policisë konfirmojnë se vetëm ditën e djeshme, në drejtorinë e policisë janë paraqiture edhe dy persona të tjerë, duke e kallëzuar atë për mashtrim.
Gruaja 64-vjeçare hiqej si pjesë e fondacionit të huaj, duke mashtruar biznesmenë se për t’u bërë pjesë e projekteve të tyre, kryesisht me çerdhe për fëmijë e azile pleqsh, fillimisht duhet të paguanin nga 1% të vlerës që do të shkonte ndërtesa. Mes personave të mashtruar nga ana e 64-vjeçares, ishte edhe vëllai i Rebani Jaupit, drejtorit të Policisë së Tiranës.
Pas zbulimit të kësaj skeme mashtrimi nga ana e 64-vjeçares, policia i kërkoi informacion edhe organizatës UNICEF, sipas së cilës, në asnjë moment nuk ka pasur të regjistruar punonjëse të identifikuar me emrin Violeta Petro.