Maska e Admir Muratajt mban peng zgjidhjen e dilemës se kush qëlloi mbi të, pak minuta pas grabitjes se 6 milionë eurove në barkun e Austria-Airlines, në Rinas.
Ajo ndodhet në duart e ekspertëve të kriminalistikës, ku i është nënshtruar një akt ekspertimi.
Pas raportit mjeko-ligjor dhe atij të ekspertëve kriminalistë, hetuesit do të dalin në një konkluzion të përbashkët, që përcakton distancën nga e cila u qëllua Murataj pasditen e 9 prillit, në fshatin Tapizë.
Vetëm ky përcaktim do të shërbejë si provë në gjykatë, duke hedhur dritë edhe mbi personin që qëlloi mbi organizatorin e supergrabitjes në aeroportin e Rinasit.
Familja e të ndjerit, dorëzoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, 24 orë më parë, një padi penale ndaj forcave të FNSH, duke aluduar për vrasje. Sipas tyre, Admir Murataj është qëlluar pa pasur shkëmbim zjarri.