Pak ditë më parë shtypi grek zbuloi largimin e Mërgim Mavrajt nga Arisi dhe kalimin e tij në Bundesligën 2. Kapiteni i Kombëtares mbyll një aventurë të shkurtër dhe të dështuar në Greqi, ku pak luajti si titullar, vetëm 5 ndeshje, edhe pse u prit si një “hero” tek Arisi, ku aktivizohet edhe mesfushori i Kombëtares, Migjen Basha.
Mavraj do të firmosë për ekipin e Ingolshtadit, siç e ka pohuar edhe vetë në një prononcim për “Telesport”. Mbrojtësi veteran ka theksuar se arsyet e largimit nga Greqia kanë të bëjnë me mungesën e respektit ndaj tij dhe thashethemet e shumta për vlerat që ai ka si futbollist dhe si njeri. “Është folur shumë për mua, ka pasur shumë thashetheme dhe vetëm për futboll nuk është folur. Është mungesë respekti ndaj meje ta marr vesh nga mediet se do të largohem nga ekipi. Kam ndërprerë kontratën me Arisin dhe do të firmosm për Ingolshtadin në Gjermani. Nuk është një kthim prapa dhe shpresoj që në të ngjitem në Bundesligë me këtë ekip”, – ka thënë Mavraj ndër të tjera.
Kapiteni i kuqezinjve po kalon një periudhë të vështirë. Sezonin e kaluar Hamburgu e nxorri jashtë planeve. Në shtator Mavraj firmosi për Arisin dhe tani ka vendosur të kthehet në Gjermani me Ingolshtadin, që mban vendin e fundit në Bundesligën 2 dhe lufton për mbijetesë. Futbollisti 32-vjeçar e njeh mjaft mirë këtë kampionat, ku më parë është aktivizuar me Bokumin, Grojther Furthin dhe Darmshtadin, përveç Këlnit dhe Hamburgut, ku ka shënuar kulmin e karrierës, duke luajtur në Bundesligë. Mavraj nuk e konsideron një hap prapa, por të luash me ekipin e vendit të fundit në Bundesligën 2 nuk mund të jetë kurrë një hap përpara.
Trajneri Panuçi e ka grumbulluar Mavrajn edhe kur ai ishte pa ekip, së fundi i ka besuar edhe shiritin e kapitenit, por forma e mbrojtësit periudhën e fundit nuk është stabël dhe mund të ketë pikëpyetje edhe sa i takon të ardhmes së tij në Kombëtare.