Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas njohjes me vendimin e tërheqjes së Mërgim Mavrajt nga kombëtarja, ka bërë një reagim në rrjetet sociale ku ka dhënë një vlerësim maksimal për mbrojtësin që përfaqësoi denjësisht ngjyrat kuqezi për tetë vite me radhë.
“Sot u njoha me vendimin e Mërgim Mavrajt për t’u tërhequr nga kombëtarja shqiptare. Lajme të tilla janë gjithmonë prekëse, sidomos kur bëhet fjalë për lojtarë të cilët kanë dhënë shumë për skuadrën tonë përfaqësuese.
Gjithmonë me këmbë në tokë, i gatshëm të sakrifikojë për të mirën e skuadrës dhe një lider plot edukatë – kështu e risjell gjithmonë në mendje Mërgimin që nga viti 2012, kur nisi rrugëtimin e tij kuqezi. Këto tetë vite u kulmuan me kualifikimin në Europianin 2016, arritje me të cilën ai e ka vendosur emrin në faqet më të arta të historisë së futbollit shqiptar.
Jam krenar për djem si Mërgimi, të cilët kombëtaren e kanë konsideruar si gjënë më të shenjtë. Siç u shpreh edhe ai sot, çdo gjë e ka një fund dhe vitet mbi supe kanë peshën e tyre.
Duke vlerësuar maksimalisht kontributin e tij për Kombëtaren kuqezi, dua t’i uroj shumë suksese Mërgimit në të ardhmen dhe sa më shumë mbarësi.”, – shkruan Presidenti Duka.
Ishte vetë Mavraj me një postim në profilet e tij zyrtarë në rrjetet sociale që komunikoi lamtumirën nga kombëtarja shqiptare. Në total me kuqezinjtë Mavraj u aktivizua në 50 takime duke shënuar dhe 3 gola.
Postimi i Mavrajt:
Përshëndetje,
Kanë kaluar gati 8 vite që prej shtatorit të 2012-ës, kur unë debutova për herë të parë me Kombëtaren Kuq e Zi, vite të cilat mbase nuk janë të shumta, porse emocionet, sfidat, sakrificat, rëniet, ngritjet dhe sukseset kanë qënë të mëse të mjaftueshme për të skalitur në brendësinë time përjetime të rralla dhe të pashlyeshme. Ky rrugëtim më ka ofruar mundësinë që ta njoh dhe me mirë vendin tim, njerëzit e vendit tim por dhe vet veten time dhe jo vetëm, si shkak i këtij rrugëtimi dhe sportin arrita ta njoh dhe me mirë.
Mirëpo si çdo rrugëtim dhe ky e ka një fund, dhe ky fund është më se i lumtur. Ndaj për këtë dëshiroj të falenderoj të gjithë bashkëshoqëruesit e mi duke filluar nga Familja ime, Miqtë e mi, Ndjekësit e Kombëtares Kuq e Zi, Presidentin Armando Duka, Kolegët e mi dhe të gjithë Stafet Teknike me të cilët kam punuar, edhe pse gjithsecili prej tyre meriton një falenderim personal jam i detyruar që të gjithë falenderimet ti përmbledh në këto pak rreshta.
Mbi të gjitha falënderimet është falenderimi ndaj Zotit, i Cili ma mundësoj këtë fund të lumtur.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin tonë shqiptar!
Zoti na e mundësoftë që Një Flamur të jetë simboli ynë!