Pas tre ndeshjesh mungesë, Mërgim Mavraj është rikthyer me grupin edhe pse ndaj Islandës nuk do të luajë. Ai do të kthehet me Moldavinë, por prania e një lideri si mbrojtësi do të jetë e nevojshme për ekipin.
Mërgim Mavraj është rikthyer në kombëtare pas pezullimit dhe tashmë ka gjetur një situatë ndryshe te kuqezinjtë, pa Panuccin dhe nën drejtimin e trajnerit të ri Edy Reja.
Sa bashku me Lenjanin, ai doli mesditën e sotme në konferencë për shtyp para ndeshjeve eliminatore ndaj Islandës më 8 qershor dhe Moldavisë 3 ditë më vonë.
Mavraj tregoi përshtypjet e para që i dha trajneri i ri, duke dhënë vlerësime për të edhe pse shprehet se është ende herët për ta njohur si duhet.
“Ka ndryshime shumë të rëndësishme në Kombëtare dhe mua më duhet edhe pak kohë për të analizuar ndryshimet. Kam vetëm rreth 20 orë dhe më duhet pak kohë për t’i analizuar. Numri i madh i lojtarëve më ka bërë përshtypje. Nuk e gjeta bosh vendin tim. Kemi biseduar me trajnerin dhe duket shumë i qetë. Një njeri që duket edhe pak si babai ynë. Nga shikimi i parë duket shumë simpatik”, tha Mavraj.
Sa gjëra kanë ndryshuar që kur je kthyer, pasi ke qenë i pezulluar?
“Ka ndryshime të rëndësishme. Më duhet pak kohë t’i analizojë këto ndryshime dhe akoma nuk mund të jap një mendim, si ka ndryshuar për mirë apo keq. Gjëja e parë që më bëri përshtypje ishte grupi i madh. Kur u futa nuk e gjeta ulësen time. Para ndeshjes me Skocinë kemi qenë të fokusuar. Tani kemi ardhur nga kampionati. Disa lojtarë kanë probleme. Akoma nuk e kemi përqendrimin. Me udhëtimin fokusi do të jetë më ndryshe.”
Cilat janë përshtypjet e para për Rejën?
“Duket simpatik, i qetë. Është si babai ynë. I buzëqeshur dhe i sjellshëm, nga ana taktike nuk e vlerësoj dot ende.”
Mund të jemi në ato nivele që kemi qenë?
“Liga e Kombeve na eci keq. Të gjithë nuk kemi qenë të kënaqur me paraqitjet tona. Po u përmirësuam nga loja do të vijnë edhe rezultatet. Ka pasur shumë ndryshime kohët e fundit. Duhet të afrohemi edhe më shumë njëri me tjetrin. Rezultatin vlen në futboll, nuk e kemi pasur, por i kemi cilësitë. Është momenti i duhur për të lënë të kaluarën pas. Do të kemi një shans të vërtetë”.
Këshilla juaj për shokët përpara ndeshjes në Islandë?
“Edhe në kohën e Canës, ka qenë ekip homogjen, i fortë, 11 luftëtarë. Grupi si grup e ka përgjegjësinë për të ndihmuar njëri-tjetrin. Tani që nuk do të jem në fushë, këtë ndeshje, do tu jap vetëbesim. Do të na shërbejë të gjithëve për të ardhmen. Çdo ekip i suksesshëm ka 11 lidera, nuk është vetëm 1”.
E ardhmja?
“Do të jem maksimalisht i fokusuar dhe i motivuar. Ku do të luaj nuk është vetëm në dorën tonë. E ndjej veten mirë dhe do të gjejmë zgjidhjen e duhur. Nuk ka qenë vetëm dështim. Erdha në janar dhe duke pasur parasysh këto 6 muajt e mia, nuk ka qenë një vit jo i pasuksesshëm. Kanë ndodhur shumë gjëra, por për mua ka rëndësi si i dola zot kësaj situata. E kalova këtë fazë me vetëbesim”
A ndihen të lodhur futbollistët, duke qenë se vijnë nga fundi i sezonit?
“Jemi profesionistë dhe presim me kënaqësi grumbullimin. Sigurisht, e drejtë që thuhet se jemi të lodhur dhe ndoshta jo të përqendruar, pasi duket sikur mbyllet një derë dhe hapet një tjetër.
Ndaj, fokusimi duhet të vijë. E mbaj mend edhe kur na ka ndodhur që në qershor kemi qenë vërtet një dështim. Premtimi? Do të mundohemi me shpirt dhe dëshirë të kënaqim njerëzit tanë. Ky është qëllimi i federatës, tifozëve dhe çdo shqiptari. Këtë do të mundohemi t’ia tregojmë njerëzve”.