Deputetët e partisë së Tereza May po i kërkojnë kryeministres të mos e hedhë të martën për votim planin e daljes së Britanisë së madhe nga Bashkimi Europian sepse rrezikon një tjetër disfatë.
May është në përpjekjet e fundit që të sigurojë ndryshimet e planit të saj të Brexit, por bisedimet me Brukseli kanë ngecur. Konservatorët i propozojnë kryeministres së tyre që ta zëvendësojë votën me një mocion që do të ishte i pranueshëm për partinë, do të shmangte përçarjen dhe do të ushtronte presion ndaj Brukselit.
Një nga ndryshimet që po kërkon qeveria britanike ka të bëjë me mbajtjen hapur të kufirit me Irlandën, ku mund të ketë pasoja politike dhe ekonomike, nëse rikthehen kontrollet kufitare të hequra me marrëveshjen historike të vitit 1998.
Uilliam Linc që kultivon midhje prej 20 vjetësh është pronar i një prej bizneseve që ekspozohen më shumë ndaj rreziqeve të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian pasi ndodhet në të ashtuquajturën zona gri, mes Britanisë së Madhe dhe Republikës së Irlandës.
Çdo javë ai dhe fermerë të tjerë eksportojnë tonelata me midhje drejt vendeve të Bashkimit Europian.
“Nëse Brexit do të jetë pa marrëveshje, atëherë unë do të kem telashe të mëdha. Sepse nuk do të jem në gjendje të udhëtoj, ose do të përballem me tarifa. Do më duhej ta kaloja kufirin 6 herë në ditë”, tha William Lynch, kultivues midhjesh.
Britania e madhe duhet të dalë nga Bashkimi Europian më datë 29 mars, por në Britaninë e Madhe askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në fund të muajit.