Politika Mbajti flamurin shqiptar Zi, autoritetet malazeze gjobisin ish-sportistin shkodran

Mbajti flamurin shqiptar Zi, autoritetet malazeze gjobisin ish-sportistin shkodran

Sportisti Irfan Domnori nga Shqipëria u gjobit me 300 euro nga autoritetet në Tivar të Malit të Zi, si dhe u dëbua nga territori i Malit të Zi për një muaj, për shkak të ngritjes së flamurit të Shqipërisë pa leje.

Sipas drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, ”Domnori gjatë manifestimit me rastin e ‘Ditës së gështenjës’, që tradicionalisht mbahet në Ostros të Krajës, ka shkelur ligjin mbi rendin publik duke valëvitur flamurin e Republikës së Shqipërisë”.

Në Ostros të Krajës, të shtunën dhe të dielën, u mbajt ”Dita e gështenjës” një manifestim tradicional ku morën pjesë qytetarë nga Ulqini, Ana e Malit, Shkodra, Tivari, Tuzi dhe nga rajoni.

Përdorimi i simboleve kombëtare nga pakicat në Mal të Zi është bërë shpesh objekt debatesh midis forcave politike shqiptare dhe zyrtarëve malazezë.

Në Mal të Zi jetojnë përveç malazezëve edhe shqiptarë, serbë, boshnjakë, myslimanë, kroatë dhe romë. Sipas kushtetutës së Malit të Zi, ata kanë të drejtë të përdorin flamujt e tyre, por me ligjin për rendin publik, përdorimi i simbolit kombëtar duhet të bëhet përkrah flamurit malazez.

Sipas ligjeve të Malit të Zi, kur një qytetar mban në publik një flamur, stemë ose një simbol të një shteti tjetër pa autorizim, gjobitet me 100 deri 500 euro ose me burgim deri në 30 ditë.

Partitë politike shqiptare, përmes deputetit të tyre në parlament Genci Nimanbegu, propozuan vitin e kaluar ndryshimin e ligjit, duke kërkuar heqjen e gjobave për ngritjen e simboleve kombëtare, por propozimi nuk u miratua.

Në Mal të Zi, gjykatat shpesh lëshojnë gjoba ndaj pjesëtarëve të pakicave për shkak të përdorimit të simboleve kombëtare të shteteve të tjera./VOA